Deputetja

Musliu i reagon Haxhiut pasi tha se gjyshi i saj i ka dhënë bukë e armë Thaçit: Nuk besoj që ka shku aty i paarmatosur

Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, i ka reaguar Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut, e cila mbrëmë tha se gjyshi i saj i ka dhënë bukë e armë ish-presidentit Hashim Thaçi.

Musliu ka thënë se gjyshi i Haxhiut mund t’ua ketë dhënë ndonjë kafshatë bukë dhe t’iu bëj konak, por ka shtuar se nuk e beson që Thaçi të ketë shkuar atje i paarmatosur.

“Ndoshta babgjyshi ka mujt me u’a dhanë ndonjë kafshatë bukë edhe me ju ba konak ndonjëjer e sa për armë Hashim Thaçi nuk besoj që ka shku aty i paarmatosur. Por si do qe të jetë kjo nuk te amniston ty qe i quajte kriminel!”, ka shkruar Musliu.

Ndryshe, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar mbrëmë se gjyshi i saj i kishte dhënë bukë e armë ish-presidentit Hashim Thaçi.

Një deklaratë të tillë Haxhiu e ka dhënë në Kanal10, ku ka thënë se përkundër kësaj, ish-presidenti e kishte akuzuar familjen e saj për trafikim me narkotikë.

Ajo ka treguar se e ka paditur ish-presidentin për shpifje dhe se rasti për këtë është në gjykatë, por thotë se ende s’është mbajtur asnjë seancë.

“E kuptoj se në politikë edhe mund të akuzohesh, ndonëse është e ultë, por mund të bëhen. Por, për familjen time ka qenë ndryshe sepse familja ime ka qenë para lufte e gjithmonë ka kontribuar për vendin. Z. Thaçi e njeh familjen time. Gjyshi im i ka dhënë bukë e armë Thaçit, por edhe përkundër kësaj ka bërë një akuzë të tillë. Unë e kam paditur për shpifje, jo si ministre, por si individ. Të akuzosh një familje për trafikim me narkotikë, s’mund t’i mbyllësh sytë. Rasti është në gjykatë dhe ende nuk është mbajtur asnjë seancë”, ka thënë Haxhiu.