75 incidente gjatë katër muajve në shkollat e Prishtinës

Vetëm brenda katër muajve të parë të këtij viti, gjatë periudhës janar-prill, kanë ndodhur 75 incidente të ndryshme nëpër shkollat e Prishtinës. E kjo shifër madje ka shënuar ngritje në krahasim edhe me periudhën e njëjtë të vitit të shkuar.

Këto të dhëna i ka konfirmuar për “Kohën Ditore” Departamenti i Policisë për Rajonin e Prishtinës, duke saktësuar se gjatë këtyre incidenteve janë kryer vepra të ndryshme penale.

“Gjatë periudhës janar –prill 2019, në tërë DRP-Prishtinë, kemi pasur gjithsej 75 raste incidente në shkolla. Ndërsa gjatë periudhës së njëjtë kohore të vitit të shkuar kemi pasur gjithsej 71 raste të incidenteve nëpër shkolla. Por sipas statistikave në vitin 2019 kemi 4 raste më shumë se në vitin 2018”, thuhet në përgjigjet që ka dhënë Policia për gazetën.

Ata saktësojnë se në këto incidente ka pasur raste të lëndimeve të lehta trupore, lëndime të rënda trupore, vjedhje madje edhe aso të rënda, dëmtim të pronës, posedim të armës së ftohtë, kanosje, etj.

Përderisa zyrtarë të Komunës së Prishtinës kanë kërkuar kohë shtesë për t’u përgjigjur në lidhje çështjen e incidenteve nëpër shkolla, numri i të cilave po shkon duke u rritur, njohës të çështjeve të sigurisë kanë thënë se kjo gjë po kthehet në fenomen të rrezikshëm për shoqërinë.