701 mijë euro është dëmtuar buxheti nga përfituesit e skemave të pensioneve të dyfishta

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica ka ngritur sot në mbledhjen e Qeverisë, problemin e përfitimit të skemave të dyfishta pensionale.

Ai ka treguar se buxheti i Kosovës nga kjo shkelje dëmtohet në vit 701 mijë euro.

“Një problem që është trashëguar nga qeveritë e kaluara. Zyra e Auditimit ka konstatuar se për dy vjet rresht se janë gjetur shkelje serioze lidhur me përfituesit e pensioneve të skemave të dyfishta të pensioneve të TMK-së dhe FSK-së si dhe disa kategorive tjera që përftojnë në mënyrë të padrejtë”, ka thënë Reçica.

“Përftimi nga dy pensione është shkelje ligjore. Buxheti i Kosovës është  dëmtuar në vlerë mbi 701 mijë euro. Duhet të bëhet ndërprerja e pagesave të dyfishta për përfituesit e pensioneve të FSK-së dhe TMK të cilët janë edhe përfitues të kategorive të dala nga lufta”.

Reçica ka treguar se lidhur me këtë shkelje ka edhe zyrtarë të ministrisë që janë intervistuar.