detaje

70-vjeçari dyshohet se e vrau gruan rreth orës 02:00, në Polici u dorëzua 2 orë e gjysmë më vonë

Policia e Kosovës ka dalë me raport për vrasjen e rëndë që u krye në rrugën “Mark Isaku” në Prishtinë, ku u vra një 63-vjeçare. I dyshuar për vrasje është bashkëshorti i saj, 70-vjeçari Izet Godeni.

Sipas raportit të Policisë, vrasja dyshohet se është kryer rreth orës 02:00, derisa i dyshuari është vetëdorëzuar në Polici, rreth orës 04:40.

“VRASJE E RËNDË- Rr. Mark Isaku, Prishtinë 25.11.2022 – 02:00-04:40. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, viktimën femër kosovare. Njësitë relevante policore dhe një ekipet e mjekësisë ligjore kanë dalë në vendin e ngjarjes, nga stafi përgjegjës i mjekësisë ligjore është konstatuar vdekja e viktimës. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

Krejt çka dihet deri tash për vrasjen që tronditi vendin

70-vjeçari, Izet Godeni dyshohet se e ka vrarë me sëpatë gruan e tij 63-vjeçare, Sadije Godenin, në shtëpinë e tyre në rrugën “Mark Isaku”..

I dyshuari është vetëdorëzuar në Polici rreth orës 04:40. Rastin për Gazetën Express e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

Sipas Borovcit, ai është intervistuar dhe pastaj është dërguar në qendrën e ndalimit.

“Dërgohet në mbajtje një person i dyshuar për vrasje të rëndë. Sot rreth orës 04:40 kemi pranuar informatën për një trup të pa jetë në një shtëpi në rrugën “Mark Isaku” në Prishtinë. Bazuar në hetimin preliminar si dhe ekzaminimin e vendit të ngjarjes me urdhër të prokurorit të shtetit, rasti është cilësuar vrasje e rëndë. Lidhur me rastin është vetëdorzuar një person i dyshuar: I. G, mashkull 70 vjeç. Personi i dyshuar me urdhër të prokurorit të shtetit, është intervistuar dhe i njëjti është dërguar në qendrën e ndalimit, ndërkohë që trupi i pajetë i viktimës, femër 63 vjeç, është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, ka thënë Borovci për Express.

Detaje për rastin ka dhënë edhe Prokuroria Themelore e Prishtinës. Sipas komunikatës së Prokurorisë, 70-vjeçari dyshohet se e ka mbytur gruan me sëpatë.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar personi me inicialet I.G. (1952) për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”, sipas KPRK-së. Sot, rreth orës 04:40, në Stacionin Policor Qendra, është paraqitur personi i lartcekur, i cili dyshohet se ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën S.G. (1959), me një mjet të mprehtë (sëpatë), në shtëpinë e tyre, në Rr. “Mark Isaku” në Prishtinë”, ka njoftuar Prokuroria.

Prokuroria ka thënë se motivi i vrasjes ende s’dihet, derisa ka paralajmëruar se do të kërkojë caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin.

“Aktualisht, nga hetimet fillestare nuk dihet motivi i kryerjes së këtij akti, derisa Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor do të ushtrojë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, si dhe në koordinim me policinë do të vazhdojë ndërmarrja e veprimeve hetimore për t’i sqaruar në plotëni rrethanat e këtij rasti”, thuhet në komunikatë.