60 hektarë tokë në Rugovë janë përfshirë nga zjarri

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka thënë se zjarri në disa fshatra të Rugovës po rrezikon jetën e qytetarëve të cilët po përpiqen të shuajnë zjarrin në përpjekje për të ruajtur shtëpitë e tyre.

Ai, në Edicionin Special në Klan Kosova, ka treguar se përafërsisht 60 hektarë tokë janë përfshirë nga zjarri.

“Në disa pjesë zjarri është ndalur, derisa në disa pjesë zjarri është aktiv. Pa ndihmën e KFOR-it dhe forca më të konsiderueshme të zjarrfikësve dhe sasi më të madhe të ujit është vështirë që të ndalet zjarri. Po kërkohet që të largohen disa banorë që me vetiniciativë po mundohen me e ndal zjarrin, derisa togeri po insiston që banorët të tërhiqen gjithsesi dhe shuarja e zjarrit të vazhdojë kur të krijohen më shumë forca”, ka deklaruar ai.

Përfaqësuesi i pesë fshatrave të rajonit të Rugovës së Pejës, Agron Nikqi tha se situata në fshatin Shtupeq i Madh është alarmante për banorët të cilët gjenden në afërsi të vatrave të zjarrit por edhe për ambientin.

“Gjatë gjithë ditës kanë qenë KFOR-i dhe FSK-ja që kanë tentuar ta shuajnë zjarrin dhe parashihet një rrezik i madh nëse vazhdon era e madhe që po e fuqizon zjarrin. Duhet një veprim i menjëhershëm që duhet të evakuohen banorët të cilët janë të rrezikuar”, është shprehur Nikqi në “Edicioni Special”.

Nikqi tha se në rrezik janë 10 familje të asaj zone, ku zjarri më i fuqishëm është në pjesën mes fshatit Shtupeq i Madh dhe bjeshkës që gjendet në atë pjesë.