Drenas

6 muaj burgim me kusht dhe 1 mijë euro gjobë, ish-asamblisti pranoi se nuk deklaroi saktë pasurinë

Ish-këshilltari i Asamblesë Komunale të Drenasit, Emri Lladrovci është dënuar me 6 muaj burgim me kusht dhe 1 mijë euro gjobë për mosdeklarim të saktë të pasurisë.

Aktgjykimi është shpallur të premten nga gjykatësi Eroll Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dënimi me kusht nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari brenda afatit kohorë prej 1 viti nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale.

Sipas këtij aktgjykimi, Lladrovci obligohet që të paguajë edhe shpenzimet procedurale dhe atë shumën prej 50 euro për paushallin gjyqësor dhe 20 euro tjera për fondin e kompensimit të viktimave të krimit.

Në seancën e mbajtur më 20 dhjetor 2023, ai e ka pranuar fajësinë për mosdeklarim të saktë të pasurisë.

Kurse i njëjti në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 8 dhjetor 2021 ishte deklaruar i pafajshëm për akuzën e cila i vihet në barrë.

Sipas aktakuzës, së ngritur më 24 maj 2017, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Emri Lladrovci se në formularin për vitin 2015 kishte deklaruar pjesërisht pasurinë e tij.

Me këtë, Lladrovci po akuzohet se ka kryer veprën penale “mosraportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave ose i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare” nga neni 437 paragrafi 2 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.