Enlirat Duraku, sekretar i Sindikatës së Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë Shëndetësorë, ka hyrë i vetëm në grevë urie tash e 6 ditë më parë.
Gjendja e tij shëndetësore dukshëm është rënduar, mirëpo përkundër kësaj Duraku është i vendosur për të vazhduar grevë, derisa të realizohen kërkesat e infermierëve, e që janë tri, rritja e pagesës së ndërrimit të natës, pagesa e orës shtesë e gjatë vikendit, si dhe pagesa e rrezikshmërisë.
Ai për IndeksOnline, ka thënë se ndonëse ndihet shumë i dobët fizikisht, nuk do të dorëzohet, para kërkesave që ka ai dhe kolegët e tij.
“Dhembjet janë të papërshkrueshme, fillimisht sot jam me kateter qendror për shkak të terapisë. Për punën e progresit dhe shërimit jemi në kontakt në vazhdim”, tha ai për IndeksOnline.
Ai tutje ka falënderuar ministrin e Shëndetësisë Armend Zemaj, i cili siç ka thënë Duraku, ka shprehur interesim për gjendjen e tij në këto ditët e fundit.
Duraku ka deklaruar se pas një bisede të zhvilluar me ministrin Zemaj, janë dakorduar që nesër në ora 10:30 ta mbajnë një takim tre palësh, në mes të sindikatës, SHSKUK-së dhe vet ministrit Zemaj.
“Po unë absolutisht nuk e ndal grevën, përderisa këto kërkesa nuk plotësohet, me gjithë vullnetin e ministrit Zemaj , drejtorit të SHSKUK-së. Falënderoj jashtëzakonisht ministrin Zemaj i cili në kohët e fundit më ka telefonuar, është interesuar për gjendjen time shëndetësore. Jemi dakorduar që nesër prej orë 10: 30 të kemi një takim tri palësh, me ministrin, me sindikatën e infermierëve dhe drejtuesit e SHSKUK, në mënyrë që kërkesat e infermierëve t’i konkretizojmë”, theksoi tutje Duraku.
Që ka lëvizje përpara e theksoi Duraku, i cili vlerësoj se kontribut që situata të marrë një epilog pozitiv për infermierët që po kërkojnë rritjen e pagesës së ndërrimit të natës, pagesa e orës shtesë dhe gjatë vikendit, si dhe pagesa e rrezikshmërisë.
“Unë e respektoj punën e ministrit dhe Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, që kanë nënshkruar 3-4 kontrata të mëdha, ndërsa implikim buxhetor që kërkon këto tri kërkesa, nuk e përbëjnë as gjysmën e shumave të atyre kontratave që ata kanë nënshkruar”, nënvizoj Duraku.







