578 punonjës serbë dhanë dorëheqje nga Policia e Kosovës

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave serbe në RKS, serbët e veriut zhvilluan protestë. Në atë protestë, njoftuan dorëheqjen qindra policë serb.

Që nga dita e parë e dorëheqjeve e deri më tani, numri i dorëheqjeve të punonjësve të uniformuar dhe të atyre civil nga rendi publik, kufiri dhe hetimet ka shkuar në 578.

Këtë e kanë konfirmuar për Indeksonline nga Policia e Kosovës.

Në përgjigjen e PK-së, theksohet se dorëheqjet janë bërë në zonën e drejtorisë rajonale të Mitrovicës Veriore.

Siç bëhet e ditur, disa prej punonjësve të dorëhequr kanë dorëzuar pajisjet e tyre e disa të tjerë janë në proces të dorëzimit të pajisjeve, për të vazhduar më pas me kompletimin e procedurave tjera të parapara.

Policia e Kosovës njofton se ka kapacitete për menaxhimin e situatës dhe rrethanave të krijuara në veri, ku tani pas dorëheqjeve në mungesë të personelit dhe kapaciteteve të mjaftueshme policore në veri, do të rris gradualisht kapacitetet e saja policore me zyrtarë të rendit publik.