Komisioni për Buxhet dhe Financa gjatë ditës së premte me vota unanime ka miratuar projektligjet për FSK-në me ç’rast në këtë takim u tha se Ushtria e Kosovës për vitin e ardhshëm do t’i ketë buxhet 57 milion euro.
Kreu i këtij komisioni, Lumir Abdixhiku, ka thënë se tre projektligjet që i kanë shqyrtuar, nuk kanë edhe ndonjë kosto të shpenzimeve. Ai shtoi se 53 milionë euro janë të përcaktuara që për vitin e ardhshëm t’i ketë kjo forcë, e që sipas tij janë pak.
“Kosova shpenzon vetëm 0.7% të brutoproduktit për mbrojtje. Ushtria e Kosovës këtë vit do të ketë buxhet 53 milionë, në vitin 2020 – 57 milionë dhe në vitin 2021- 62 milionë euro”, ka thënë Abdixhiku.
Kurse Deputetja Safete Hadërgjonaj, anëtare e këtij komisioni nga radhët e PDK-së, tha se buxheti nuk është problem për këtë forcë.
Sipas saj, më problematike është transformimi i kësaj force në ushtri dhe marrja e kompetencave të reja.
“Ne si kuvend kemi të drejtë të miratojmë kërkesa që vijnë për të ndryshuar ligjin, ne e kemi problemin që ta formojmë ushtrinë”, ka thënë ajo.







