50 vjet nga ulja në Hënë/ Ky është inxhinieri shqiptar që mundësoi udhëtimin e parë në Hënë

Një inxhinier shqiptar mbrapa udhëtimit të parë të njeriut në Hënë

Një nga figurat më interesante e më të lëna në harresë të komunitetit shqiptar viziton redaksinë e gazetës Illyria. Nëntor 2007 – Neil Amstrong, komandanti i Apollos 11, anijes kozmike që zbriti në Hënë, ka hyrë në histori me shprehjen e tij, pasi hodhi hapin e parë në “dheun e largët” në vitin 1969. Ai tha: “Një hap i vogël për muaj, po një kërcim gjigand për njerëzimin”.

Po një njeri dinte shumë për këtë punë, më shumë se edhe astronautët vetë. Ai ishte inxhinieri shqiptaroamerikan, Wilson Kokalari, i ngarkuar për të programuar testimin final të të gjithë sistemit të Apollo-s përpara nisjes drejt aventurës ndërplanetare.

“Kur fillova të punoj me programin Apollo”, tregon Wilson-i, “në vitet ‘60 kur nisi si projekt, i thoja babait që do të shkojmë në Hënë, ai më shihte sikur më kishte lojtur mendja, sikur isha çmendur. Po, po, më thoshte, sigurisht që do të shkoni”. Për fat të keq, ai nuk ishte gjallë pak vjet më vonë për të mësuar ngjarjen e madhe të vitit 1969, në të cilin i biri luajti një rol të dorës së parë. “Sigurisht që njerëzit në atë kohë, as që e kishin idenë se sa pranë që ishim vajtjes në Hënë”, tregon Wilson- i. Një rol të madh në përshpejtimin e përpjekjeve , tregon ai, luajti edhe gara me Bashkimin Sovjetik, e cila u bë vendimtare pasi rusët hodhën satelitin e parë në hapësirë, të njohur me emrin “Sputnik”.

Wilson Kokalari, i cili u nda nga jeta ne Mars 2014, i kujtonte me mbresa ato ditë intensive të punës me anijen gjigande që shpejt do të shkëputej nga toka. Ai ka qenë aty për të gjithë versionet e Apollo-s dhe ruan disa prej librave të punës, shumica e të cilave janë tepër teknike për njeriun e zakonshëm.

Të paktën katër firma të tjera private u kontraktuan nga NASA për të ndërtuar nënsistemet e anijes kozmike. Pozicioni i inxhinierit nga Gjirokastra ishte kyç për programin. Ai ishte testuesi kryesor final i tij.

Programi i testimit është qindra faqesh, e detajet pastaj kërkojnë mijëra të tilla. Ai u shkrua nga inxhinieri shqiptar gjatë një pune voluminoze dyvjeçare. Wilson Kokalari solli për kuriozitetin tonë në redaksi një kopje të një prej librave me të gjitha hapat e testimit.

Gjashtë herë janë ulur amerikanët në Hënë (Apollo 11, 12, 14-17) dhe meritë për këto suksese ka një staf i gjerë, por pak njerëz kanë qenë aq në qendër të aksionit sa heroi ynë Wilson Kokalari.

Astronautët në shenjë falenderimi për punën e jashtëzakonshme të Wilsoniit dhe stafit teknik, morën me vete një pllakë, me emrat dhe firmat e tyre, të cilën e vendosën në Hënë, aty ku zbritën. Wilson-i qesh kur i kujton se si rrallë kush në këtë botë e ka emrin të shënuar në një trup qiellor jashtë Tokës. “Në fillim do të ishin shumë pak emra”, kujton ai. “Vetëm ne stafi i ngushtë që bëmë bashkimin dhe provën përfundimtare të anijes kozmike.
Por, pastaj u shtua edhe pjesa tjetër e stafit”. Fakti që emri i një shqiptari ndodhej në pllakën që astronautët lanë në Hënë përmendet në librin “Shqiptarët e Amerikës” me autor Vehbi Bajramin. Ai ka intervistuar personalisht dhe e ka bërë të njohur për lexuesin shqiptar në botë, astronautin shiptaro-amerikan William Gregory…

Wilson Kokalari, u lind në Gjirokastër dhe vjen nga familja e shquar Kokalari, ndër të cilët për lexuesit e gazetës sonë, më e njohura është Musine Kokalari, viktima e komunizmit. Wilson-i ishte vetëm një vjeç e gjysëm kur e gjithë familja e tij u zhvendos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I ati, Hilmi Kokalari ishte biznesmen i shkathët. Qysh në fillim filloi biznes me ullinj dhe djathë me Shqipërinë. Kjo përpjekje për të mos u shkëputur tërësisht nga Shqipëria përpak i kushtoi rëndë Hilmiut që në vitin 1939 u kthye nga Shqipëria vetëm pak ditë përpara pushtimit italian. Me shkëputjen e lidhjeve, ai u përqëndrua në tregtinë e pronave të patundshme.

Me një numër ndërtesash në pronësi, në Manhattan, qysh në atë kohë më shumë se 50 vjet më parë, familja do të ishte sot miliardiere. Mirëpo, djemtë e tij kishin të tjera plane.

Wilson Kokalari dhe i vëllai, u dashuruan pas inxhinierisë. Wilson shkoi në “Perdue University” ku shkojnë pothuajse të gjithë ata që bëhen astronautë. Për shembull, Neil Armstrong, komandanti i Apollos 11, kishte një diplomë inxhinierie nga ky universitet.

loading…