Khabib

50 Cent ia ofron Khabibit 1.8 milion euro për t’u larguar nga UFC

Pasi Khabib Nurmagomedovi e kërcënoi UFC-në se do të largohej nëse ata e ndëshkojnë kushëririn e tij, 50 Cent i ka bërë atij ofertë prej 1.8 milion eurosh për të marrë pjesë në meçet e tij në Bellator.
50 Cent është aksionar në Bellator, gara e dytë më e famshme e MMA pas UFC, dhe tani ai është duke tentuar ta bindë kampionin e peshave të lehta t’i bashkohet kësaj gare për artet e përziera marciale, transmeton Gazeta Express.

McGregor e humbi meçin për titullin e kampionit të peshave të lehta të arteve të përziera marciale UFC kundër Khabibit. Ai u detyrua të dorëzohej në rundin e katërt të ndeshjes.

Menjëherë pasi ishte dorëzuar, Khabibi e kishte kapërcyer kafazin dhe e kishte sulmuar ekipin e McGregorit. Edhe vetë irlandezi ishte goditur nga një kushëri i Khabibit, i cili më vonë kishte bërë të ditur se McGregor e kishte goditur i pari, por pastaj ai ia kishte kthyer me dy grushte.

Dy sportistët janë dënuar me vetëm 10 ditë pezullim, por Federata e Arteve Marciale të Përziera ka vendosur ta dënojë edhe stafin e rusit, pas goditjeve që ata i dhanë irlandezit në kafaz.

“Në çdo rast, më dënoni mua, @zubairatukhugov nuk ka të bëjë me këtë. Nëse vendosni ta hiqni, duhet ta dini se do më humbni edhe mua. Ne nuk i lëmë vëllezërit vetëm në Rusi dhe unë do shkoja deri në fund për vëllain tim”, kishte shkruar Khabibi në Twitter.

As 50 Cent nuk pajtohet me vendimin e UFC-së dhe i ka ofruar 1.8 milion euro Khabibit përmes një postimi në Twitter dhe në Instagram.

“Mendoj se është e gabuar kjo që UFC është duke ia bërë Khabibit, ata nuk ia bënë të njëjtën gjë edhe McGregorit. Do t’ia paguaj menjëherë 1.8 milionë euro në dorë sonte nëse ajo lufton për mua në Bellator”, ka shkruar 50 Cent.