5 pacientët nga Malisheva pas shërimit falënderojnë stafin e Klinikës Infektive

Pesë pacientët e shëruar nga fshati Damanek i Malishevës janë liruar nga Klinika Infektive e Qendrës Klinike universitare të Kosovës, meqë rast, publikisht kanë shprehur falënderimin e tyre për mjekët e infermierët dhe të gjitha ata që janë përkujdesur gjatë kësaj kohe për këtë familje.

Kryefamiljari i familjes, Mal Krasniqi përmes një postimi në Facebook, ka shkruar një masazh të veçantë për stafin e Klinikës Infektive.

“Falënderim i veçantë dhe mirënjohje dua te bëj për stafin e klinikes infektive-QKUK. Të cilët përkundër rrezikut nga kjo pandemi ishin vërtet heronj ,shembull i etikës se komunikimit ndaj pacientit, taman me vlera të larta njerëzore e profesionale ndër to përkushtimi kujdesi dhe dashuria ndaj pacientit, kurrë nuk kanë rreshtuar së qëndruari pran pacientit. Ky trajtim mjekësor gjatë këtyre ditëve dhe gjithë ky respekt për secilin pacient na bëri t’i kalojmë sa ma lehtë edhe këto ditë te qëndrimit tonë në Klinikën Infektive. Gjitha këto fjali shkojnë për stafin mjekësor në krye me drejtoreshën”, shkruan ndër të tjera Krasniqi.

Ai po ashtu ka falënderuar kryetarin e Malishevës me stafin e tij të cilët janë përkujdesur për familjen e tij gjatë kësaj kohe.

“Po ashtu dua te falënderoj Kryetarin e Komunës Ragip Begaj, Nënkryetarin Hajdin Berisha dhe stafin të cilët pa ndërprerë janë interesuar për fatin e familjes time, me një falënderim të gjithë miqve dhe dashamireve te cilët janë interesuar për gjendjen tonë”, shkruan Krasniqi.