5 emisarët që sot zbarkojnë në Prishtinë për ta shtyrë përpara Dialogun

Për vizitë sot në Kosovë do të vijnë katërshja diplomatike e Bashkimit Evropian bashkë me atë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar.

Delegacioni do të përbëhet nga emisari special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Esobar, i dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, këshilltari për politikë të jashtme dhe siguri i Gjermanisë, Jens Plettner, ai i Francës, Emmanuel Bonne dhe këshilltari për politikë të jashtme dhe siguri të kryeministrit të Italisë, Francesco Talo.

5-shja e diplomatëve do të priten paradite në Kryeministri të Kosovës nga shefi i ekzekutivit, Albin Kurti, shkruan gazeta online Reporteri.net. Me ta, shefi i Qeverisë kosovare, sipas këtyre të fundit, “do të diskutojë për procesin e dialogut dhe hapat e ardhshëm drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër”.

Por, kush janë anëtarët e këtij delegacioni që në Kosovë do të vijnë të premten?

Gabriel Escobar, është Zëvendës-Ndihmës Sekretar i Shtetit që mbikëqyr politikën amerikane ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Zyrës së Shtypit dhe Diplomacisë Publike. Më parë ai ka shërbyer si Zëvendës Shef i Misionit në Ambasadën Amerikane në Beograd, ndërsa vendin për pozitën që mban sot ia zuri Mathew Palmerit.

Escobar gjatë viteve 1998-2001 kishte përfunduar katër turne të njëpasnjëshme në ish-Jugosllavi, duke përfshirë shërbimin si shef i Shtabit për Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë në Banja Llukë, Bosnjë dhe Hercegovinë, Shef i Zyrës së Degës së Ambasadës në Banja Luka, Zv. Shef i Ekipit Ndërlidhës Diplomatik të SHBA në Podgoricë, dhe shef i Njësisë Politike në Beograd menjëherë pasi Ambasada Amerikane u rihap në 2001.

Mesazhet e Escobarit për Qeverinë e Kosovës kryesisht ishin se duhet përmbushur të gjitha obligimet e nënshkruara në dialog me Serbinë, me theks të veçantë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Për asociacionin, Escobar është shprehur se ShBA-të do të jenë pjesë e procesit dhe sipas tij, ai proces duhet ta përfshijë Qeverinë e Kosovës.

“Nëse jo, ne mund ta zhvillojmë atë diskutim me partnerë alternativë, me shoqërinë civile, me grupet e të rinjve, me komunitetin e biznesit, me të gjithë që do të donin të shihnin Serbinë dhe Kosovën, duke dalë nga ky cikël i jostabilitetit”, ishte shprehur Escobar gjatë vizitës së tij në Kosovë në dhjetor të vitit që lamë pas, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Hera e fundit kur Escobar ka qëndruar në Prishtinë ka qenë javën e kaluar, kur me 11 janar erdhi ta shoqëroi Këshilltarin e Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet.

Derisa kontributi i SHBA-së dhe emisarëve të saj në zgjidhjen e çështjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë mbetet i pakontestueshëm, emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, që po ashtu neser paradite do t’i shkojë veti i 5-ti në zyrë Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, është parë që nga fillimi me një skepticizëm nga liderët kosovarë, pasi ai vjen nga një shtet që nuk e ka njohur akoma Kosovën, Sllovakia.

Takimin e fundit që Lajçak e pati me kryeministrin e vendit, Albin Kurti, është dje në Davos të Zvicrës në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror. Gjatë këtij takimi, Lajçak e Kurti folën për “hapat e ardhshëm në dialog për normalizimin e marrëdhënieve dhe çështjet aktuale”.

Kundërshti për Lajçakun kishte edhe ish-presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i cili pati thënë se ai nuk do të participojë në asnjë proces të prirë nga sllovaku. Kjo deklaratë e Thaçit pati bërë jehonë në media ndërkombëtare, të cilat patën raportuar për qëndrimin e ish-presidentit dhe kërkesën e tij që SHBA-të të kenë rol dominues në procesin e dialogut.

Intensitet më të madh, dialogu mes Kosovës e Serbisë ka marrë gjatë vitit të kaluar, ku presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe Kancelari gjerman, Olaf Scholz, i dërguan letër kryeministrit të vendit, Albin Kurti, e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, ku thanë se ngarkuan në detyrë këshilltarët e tyre për politikë të jashtme dhe siguri, në mënyrë që t’i jepet mbështetje Lajçakut.

I ngarkuari i Scholzit është, Jens Plettner, i cili po ashtu qëndron nesër në Prishtinë. Ai është këshilltari për politikë të jashtme dhe siguri i kancelarit Scholz, është një politikan me përvojë të gjatë në MPJ-në gjermane. Plettner nga viti 2009 deri në vitin 2012 ishte ambasador në Sri Lanka, pastaj nga 2012 deri në 2013 u bë ambasador në Tunizi.

Ai, një vit më vonë u bë shef i kabinetit të ish-ministrit të Jashtëm gjerman, Frank Walter Steinmeier, që tash është president. E, nga viti 2017 deri në vitin 2019, Plettner u bë ambasador i Gjermanisë në Athinë. Në prill 2019, ai u emërua drejtor politik i Ministrisë së Jashtme dhe u bë një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Ministrit të Punëve të Jashtme, Heik Maas. Nga viti 2021, pas zgjedhjeve, ai u bë këshilltari kryesor i kancelares gjermane për politikën e jashtme dhe të sigurisë.

Të premten në Kosovë vjen edhe Emmanuel Beaune, këshilltari për politikë të jashtme dhe siguri i presidentit të Francës, Emmanuel Macron. Ai është edhe përfaqësuesi personal i presidentit francez që përgatit samite të rëndësishme ndërkombëtare siç janë G7 dhe G20. Gjithashtu, nga viti 2000 deri në vitin 2003, ai ishte redaktor në administratën qendrore, në Departamentin për Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme. Më pas, nga viti 2003 deri në vitin 2006, ai ishte këshilltari i dytë në Iran, dhe më pas deri në vitin 2009, këshilltari i parë në Riad të Arabisë Saudite.

Nga viti 2009 deri në vitin 2012 ka qenë këshilltari i dytë i Misionit të Përhershëm të Francës në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, ndërsa deri në vitin 2015 ka qenë këshilltar për Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme në njësinë diplomatike të Presidencës së Republikës.

Beanue më pas u bë ambasador i Francës në Liban, ku ishte nga viti 2015 deri në vitin 2017. Deri në ardhjen e tij për momentin, nga viti 2017 deri në vitin 2019 ka qenë shef i kabinetit të Ministrisë Franceze për Evropën dhe Punët e Jashtme, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Pikërisht janë dyshja Beaune-Plottner që vitin e kaluar Kosovës e Serbisë ia kanë sjellë propozimin e ashtuquajtur franko-gjerman, e më vonë shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, pati thënë se ai ishte një propozim i BE-së.

Ndërsa, Lajçak do të ketë edhe një “krah” shtesë, ku për herë të parë me të në Kosovë do të i vje edhe Francesco Talo, këshilltari për politikë të jashtme i kryeministres së Italisë, Giorgina Melini.

Talo më herë ishte përfaqësues i Italisë në NATO dhe ish-ambasador në Izrael. Kurse, gjatë ditës së djeshme i njëjti pati një takim më këshilltarin e lartë të DASH-it, Derek Chollet, i cili qëndroi javën e kaluar për vizitë në Kosovë e Serbi.