46-vjeçari vdes befas në restorant, pronari s’e njihte
Një ekip i policisë erdhi në rrugën “Muharrem Fejza” të kryeqytetit, rreth orës 08:00 të mëngjesit.
Organet e rendit patën punë në njërin nga lokalet e gastronomisë në këtë rrugë, pasi një person vdiq derisa po pinte diçka brenda lokalit.
Rastin për Klan Kosova e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila ka bërë të ditur se viktima ishte 46-vjeçar.
“Aktualisht policia, me kujdes të shtuar, ka nisur hetimin e rastit si ‘vdekje e dyshimtë’ dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e duhura hetimore dhe ato forenzike – të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin dhe ndriçimin e plotë të rastit”, tha Ahmeti.
Pas hetimeve të organeve të rendit, puna në lokal rreth orës 12:00 vazhdonte normalisht, derisa atë që ngjau e konfirmoi edhe pronari, njofton Klan Kosova.
Ai nuk deshi të deklarohet para kamerës, por prapa saj tha se viktima kishte ardhur si çdo konsumator tjetër në lokalin e tij, mirëpo që pastaj, sipas tij, i njëjti kishte pësuar sulm kardiak.
Pronari po ashtu deklaroi se nuk e njihte paraprakisht viktimën.
Vdekjen e 46-vjeçarit e konstatoi ekipi mjekësor në vend të ngjarjes, derisa trupin e pajetë të tij e ka marrë mjekësia ligjore për obduksion.
Nga prokuroria bënë të ditur se me urdhër të prokurorit kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, rasti është iniciuar si “hetim mbi vdekjen”.