Isa Mustafa në Ditën e Lirisë së Mediave, nënvizon sulmet kibernetike dhe problemet financiare të mediave në Kosove

Kryetari i LDK’së, Isa Mustafa, me rastin e Ditës së Lirisë së Shtypit ka bërë thirrje që të ndalen sulmet ndaj medieve, si dhe tregon se mediet po përballen me probleme financiare në kohë pandemie.

 ‘’Mediat e lira dhe të pavarura padyshim se janë themeli i demokracisë e pluralizmit, kurse gazetarët dhe punëtorët e mediave, janë ata që konkretisht e avancojnë demokracinë e brendshme dhe e bëjnë pjesë të demokracisë evropiane dhe botërore.’’, ka shkruar ai në Facebook.

‘’Sot, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, liria dhe pavarësia e mediave në Kosovë po ballafaqohet me një kërcënim tjetër; nga lajmet e rreme dhe sulmet kibernetike por edhe nga paqendrueshmëria financiare, si pasojë e pandemisë.’’, shton duke përmendur sfidat me të cilat po kalojnë mediet në ditët e pandemisë së Covid-19.

Mustafa bën thirrje që të dnalen këso sulmesh.

‘’I bëjë thirrje të gjithë atyre që po porosisin këso lloj sulmesh e lajmesh që t’i ndalojnë ato. I siguroj qytetarët se Qeveria e udhëhequr nga LDK-ja do të trajtojë dhe adresojë këtë ndërmarrësi të dëmshme për të vërtetën dhe rrënuese për mediat e pavarura.’’, thotë ai.

‘’Të gjithë ne e kemi për detyrë të përkrahim dhe të ndihmojmë mediat e lira. Jam i bindur se mbështetja e mediave do të jenë pjesë e pakos për rimëkëmbje ekonomike të Qeverisë së re të Kosovës, kurse organeve të drejtësisë dhe agjencive tjera do t’iu krijohen të gjitha kushtet që të vihen në mbrojtje të mediave dhe të fjalës së lirë.’’, përfundon lideri i LDK’së.