42 mijë të vaksinuar, Bardhi paralajmëron lehtësim të procedurave për aplikim online

Koordinatori i Qendrës se vaksinimit në Prishtinë, Niman Bardhi tha se gjatë së hënën janë vaksinuar 140 të moshuar.

Përderisa ai ka thënë se deri më tani janë vaksinuar 42 mijë persona në gjithë vendin.

“Siç po e shihni edhe sot po vazhdon vaksinimi i të moshuarve nga mosha mbi 65 vjeç, ku aktualisht sot kemi të vaksinuar 140 persona, ndërsa nëse llogarisim në total numri shkon deri në 8 mijë të vaksinuar, e nga fillimi i vaksinimit numri shkon deri në 42 mijë të vaksinuar. Procesi është duke shkuar në rregull dhe nuk kemi parë ndonjë parregullsi”, tha ai.

I pyetur për problemet që po hasin nga të moshuarit lidhur me aplikimin online Bardhi tha që janë duke u marrë me këtë çështje dhe shumë shpejtë do të ketë lehtësira.

“Këtë çështje e kemi ngritur në instanca më të larta, dhe në bazë informatave që kemi nga nesër do të ketë lehtësira dhe ky proces do të evitohet”, theksoi tutje ai.

Fazile Hetemi tha se nuk pati radhë të pritjes e as ndonjë problem gjatë aplikimit, raporton EO.

“Jo, jo shumë mirë e kam kapërcyer, probleme diçka nuk pata pardje kom aplikuar e dje më kanë thirrur menjëherë. Nuk pash diçka problem rreth organizimit dhe nuk kam pritur në rend”, tha e moshuara Hetemi.

Edhe Burbuqe Brestovci, tha se gjithçka është në rregull, dhe se as gjatë aplikimit nuk ka pasur problem.

“Jam 69 vjeçare, nuk kam pasur probleme gjatë aplikimit dhe erdha e morra vaksinën, gjithçka në rregull asnjë parregullsi”, tha ajo.