41.9 për qind, Latifi: Sondazhi tregon që VV është duke rënë

41.9 për qind të votave do të fitonte VV nëse zgjedhjet e përgjithshme do të mbaheshin këtë të diel ndryshe nga 14 shkurti i vitit 2021, kur në zgjedhjet nacionale Lëvizja Vetëvendosje, bashkë me Listën Guxo, shënuan fitore bindëse duke marrë mbi 50% të votave të përgjithshme. Kështu janë përgjigjur qytetarët në hulumtimin e opinionit publik të kryer nga UBO Consulting për T7.

Profesori universitar, Blerim Latifi thotë se pas një viti në pushtet, partia e Albin Kurtit ka tendencë të rënies.

“Tendenca është që Vetëvendosje me ra. Por është normale”, tha Latifi në emisionin Pressing në T7.

“Pas një vit qeverisje ku VV është ballafaquar me situata të papritura, kriza e pandemisë, kriza e energjisë e kështu me radhë, natyrisht që kanë krijuar pakënaqësi serioze”, shtoi ai.

“Në momentin që një parti e merr pushtetin, automatikisht ajo krijon të pakënaqur edhe brenda saj”, thotë Latifi.

Latifi nuk parashikon ngritje për VV’në në të ardhmen, siç thotë, nëse s’do të ndryshojë për të mirë, qeverisja e Albin Kurtit.

“Vetëvendosje nëse nuk e përmirëson kualitetin e qeverisjes kjo tendencë e rënies mundet me u përshpejtuar”, theksoi ai.