Bashkëpunimi ekonomik ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë do të pësojë ‘bum’ të vërtetë në pesë vitet e ardhshme, ka deklaruar në Tiranë kryetari i Odës Ekonomike të Serbisë, Marko Çadezh.
Çadezh në Tiranë ka qenë i pranishëm me rastin e prezantimit të kompanive serbe në Panairin e 25 jubilar të Tiranës dhe në 15 vjetorin e pjesëmarrjes së Serbisë në këtë manifestim ekonomik.
Në oranizimin e Odës Ekonomike të Serbisë dhe Agjencisë serbe për Zhvillim në panairin e sivjtmë, i cili ka filluar sot dhe do zgjasë deri më 24 nëntor, ekonominë serbe e ka përfaqësuar rreth 70 sipërmarrës dhe gati 40 kompani serbe, ndërsa hapësira që u është dhënë atyre për reklamim është plot 300 metra katërorë, shkruajnë mediat serbe.
“Ka rritje enorme të tregtisë ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë në tri vitet e fundit. Kjo jo vetëm që na ka befasuar neve, por ka qenë edhe rritja më e madhe ndërmjet dy ekonomive”, ka thënë Çadezh, transmeton Ballkani.info.
Sipas tij, shkëmbimi i mallrave serbe dhe shqiptare në vitin 2017 është rritur 300 për qind në krahasim me vitin paraprak.
Ai tutje ka thënë se biznesmenët serbë dhe shqiptarë e kanë gjetur rrugën e bashkëpunimit dhe po vazhdojnë të ndërtojnë sinergji ndërmjet vete.
Kryesuesi i Odës Tregtare Industriale Shqipëri-Serbi, Isuf Fera ka thënë se është rritur bashkëpunimi ndërmjet kompanive të të dy vendeve, si dhe në këtë do të kontribuojë edhe vazhdimi i ndërtimit të autostradës Nish-Prishtinë-Durrës.
Në anën tjetër, Elona Agolli, në emër të kompanisë Klik Ekspo Group e cila e organizon panairin, ka thënë se Serbia dhe Shqipëria kanë traditë të përbashkët dhe kultrurë dhe se para 15 vjetësh sipërmarrësve serbë u është dashur guxim që të fillojnë bashkëpunimin.
“Kemi krijuar miqësi të fuqishme ndërmjet njerëzve të mrekullueshëm të cilët i kanë sjellë zhvillim ekonomik të dyja vendeve”, ka thënë ajo. /Ballkani.info/







