4.5 miliardë njerëz në izolim nga pandemia

Numri i të vdekurve nga koronavirusi ka kaluar 150-mijëshin në botë dhe shifra e të infektuarve ka arritur në 2.3 milionë.

Përhapja e madhe e virusit vdekjeprurës ka detyruar gjysmën e botës që të izolohet, si formë e mbrojtjes.

Sipas matjeve nëpër shtete, më shumë se 4.5 miliardë njerëz tashmë janë në izolim për të ngadalësuar përhapjen e pandemisë.

Shifrave në rritje u ka ndihmuar izolimi total i Indisë që ka 1.3 miliardë banorë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës me mbi 300 milionë banorë.

Ani pse shumë liderë të shteteve nëpër botë e shohin izolimin si formën më të mirë për mbrojtje nga koronavirusi, i të njëjtit mendim nuk është presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Në një konferencë për media, Trumpi ka deklaruar se disa shtete amerikane kanë qenë të ashpra me masat. Duke folur për protestat që janë mbajtur kundër izolimit në shtete Virxhinia e Minessota.

“Njerëzit po shprehin mendimet e tyre. E shoh në çfarë gjendje janë dhe si po punojnë. Janë persona të përgjegjshëm, por janë trajtuar pak ashpër”.

Deri të shtunën SHBA-ja kishte të konfirmuara 700 mijë raste dhe 32 mijë vdekje nga koronavirusi, teksa Trumpi po insiston në rihapjen e ekonomisë dhe zbutjen e masave në disa shtete.

Mbyllja e bizneseve ka lënë të papunë 22 milionë amerikanë. E presidenti Trump planifikon që rihapjen e ekonomive ta bëjë duke kthyer në punë fillimisht njerëzit e shëndetshëm, por duke i këshilluar të mbajnë distancën sociale.