38-vjeçarja shoqërohet në Polici, sulmoi fizikisht policët dhe refuzoi testimin për alkool

Një 38-vjeçare është shoqëruar për në stacionin policor në Zubin Potok, pasi refuzoi ta mbyllte lokalin i cili po punonte në kundërshti me kufizimet antiCOVID.

Ajo po ashtu ofendoi dhe sulmoi fizikisht policët, si dhe refuzoi kërkesën e policisë për t’u testuar për alkool.

“Në vendin e ngjarjes është hasur e dyshuara femër kosovare me iniciale B.M., ( e lindur në 1983), e cila në mënyrë të dukshme ishte e dehur. E njëjta refuzoi urdhrat e zyrtarëve policorë, i ofendoi dhe sulmoi fizikisht ata, si dhe refuzoi të mbyllte lokalin”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Të njëjtën mbrëmje, në të njëjtin lokal, një person i dyshuar mashkull, u ndalua në stacionin e policisë, u testua për alkool dhe rezultoi (0.99). Personi i shoqëruar, gjithashtu kishte pasur mosmarrëveshje verbale me zyrtarët policorë.

Lidhur me rastin është informuar Prokurori kujdestar, dhe i njëjti urdhëroi që dy personat të ndaloheshin jo më shumë se 6 orë dhe për shkak të dehjes, përderisa deklaratat e tyre të merren më 4 prill 2021.

Rast penal është iniciuar kundër të dyshuarës f/k: “Pengimi i personit zyrtarit në kryerjen e detyrës zyrtare”, ndërsa, ndaj personit tjetër, të fillon procedura për kundërvajtje.

Me datë 04.04.2021. janë marrë deklaratat e dy të dyshuarve dhe me urdhër të Prokurorit, rasti shkon në procedurë të rregulltë.