Shumë të rinj e të reja, përgjatë 11 ditëve, kanë dorëzuar aplikacionet e tyre për t’u bërë pjesë e ushtrisë së vendit.

Në konkursin e Ministrisë së Mbrojtjes për pranimin e rekrutëve të rinj, ushtarë aktivë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë aplikuar 350 femra, dhe 4683 meshkuj që në total i bie 5033 aplikantë, kanë thënë për Ballkan.info nga zyra për informim e Ministrisë së Mbrojtjes.

Nga konkursi pritet të pranohen 650 rekrutë.

Dëshirën që të bëhet ushtar i Kosovës e ka edhe i riu nga Rahoveci, Taulant Morina, i cili shprehet se të jesh ushtar është nder dhe privilegj.

“Për të kontribuar për vendin tim, shpresoj të arrij qëllimin e të bëhem ushtar i Kosovës. Do të aplikoj, ta provoj përsëri”, tha Morina.

Me shpalljen e tri ligjeve për shndërrimin e FSK-së në Ushtri, në gazetën zyrtare ka ndryshuar kriteri i moshës për aplikuesit që duan të bëhen pjesë e ushtrisë. Në këtë vit kanë mundur të aplikojnë të gjithë personat nga 18 në 23 vjeç. /Ballkani.info/