Mbappe thotë se nuk e meriton Topin e Artë

Ylli i Paris Saint-Germainit, Kylian Mbappe, beson se ai nuk e meriton ta fitojë Topin e Artë këtë vit, mirëpo mendon se ka ende kohë për ta siguruar këtë trofe individual me kalimin e kohës.

20-vjeçari është në mesin e 30 lojtarëve të nominuar për këtë çmim, ndërsa Virgil Van Dijk i Liverpoolit konsiderohet favorit, para Lionel Messit të Barcelonës dhe Cristiano Ronaldos të Juventusit.

Por, Mbappe e kupton se mundësitë e tij për ta fituar këtë çmim janë të vogla edhe pse ai është njëri ndër të nominuarit. Megjithatë, ai e kupton se nuk ka fituar mjaftueshëm trofe të mëdha për ta vendosur veten mes favoritëve.

Kur u pyet nëse ai mund të jetë fituesi i Topit të Artë këtë vit, Mbappe tha për Ouest France: “Këtë vit? Duhet të jemi realistë, unë nuk e meritoj atë. Ka lojtarë aty që kanë bërë më shumë sesa unë”.

“Me Paris Saint-Germainin s’i fituam të gjithë trofetë vendore e as Ligën e Kampionëve, ishim të zhgënjyer”.

“Natyrisht, në nivelin individual, unë kam fituar mjaft shumë trofe, por futbolli nuk luhet vetë dhe ne duhet ta pranojmë këtë. Unë kam ende kohë për ta fituar Topin e Artë, nuk jam për ngut, nuk është diçka që më ndjek”.

Në vitin 2019, Mbappe e ngriti trofeun e Ligue 1 me PSG-në dhe e fitoi Trophee des Champions, mirëpo parisienët humbën në finale të Coupe de France kundër Rennes dhe u eliminuan nga Manchester Unitedi në 1/8 e finales së Ligës së Kampionëve.