33 mijë vaksina pritet të vijnë këtë muaj nga COVAX në Kosovë.

Mirëpo, këto doza të vaksinave po vlerësohen të pamjaftueshme për vendin.

Hulumtuesja në fushën e politikave globale shëndetësore, Hana Xhemajli ka thënë se imunizimi i popullatës arrihet vetëm nëse vijnë numër më i madh vaksinash.

33 mijë dozat e përmendura nga ministri Armend Zemaj, sipas Xhemajlit nuk janë të mjaftueshme për imunizim.

“Me arritjen e vaksinës do të arrijmë të imunizojmë qytetarët, po flas për vaksinat në numër më të madh për shkak që komentin e fundit që dëgjova nga ministri Zemaj është që do të vijnë 33 mijë doza të cilat janë numër tejet i vogël që të kemi imunitet të popullatës, por së paku ndoshta do të imunizohet stafi mjekësor dhe mosha më e shtyrë. Edhe pasi të merret vaksina rekomandohet nga OBSh-ja që maska të vazhdohet të vendoset për shkak që ka variante të ndryshme të virusit dhe imunizimi e ka një kohëzgjatje të caktuar”, ka deklaruar ajo.

Xhemajli ka thënë për EO se pa marrë parasysh që pandemia është aktive në Kosovë institucionet e qytetarët po sillen sikur tashmë ka përfunduar gjithçka.

“Rritja e numrit të të infektuarve kurrë më shumë nuk e ka pasur adresën që e ka tani. Gjatë gjithë fushatës parazgjedhore kemi folur edhe kemi apeluar te partitë politike që mos të bëjnë grumbullim të njerëzve. Mos të mblidhen nëpër salla dasmash por duket që ranë në vesh të shurdhër pasi që edhe ato pak masa që ishin ata i larguan dhe vazhduan fushatën e tyre. Adresa kurrë më e saktë nuk ka qenë se institucionet që janë tani në ikje dhe i atyre që do të vijnë. Është faji i të gjithëve që kanë marrë pjesë në fushatë””, ka shtuar ajo.