Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë luftës deri më tani u ka njohur statusin e viktimës së dhunës seksuale 301 aplikantëve, ndërkohë që iu ka refuzuar 147 aplikantëve. Në total ky komision ka pranuar gjithsej 968 aplikime.
Kështu është bërë e ditur nga kryetarja e këtij Komisioni, Minire Begaj, gjatë takimit me ish-presidenten Atifete Jahjaga dhe ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica.

Begaj ka bërë të ditur se Komisioni ka në shqyrtim 94 raste dhe që gjatë javës së ardhshme do të marrin vendimin. Në total ajo tha se kanë shqyrtuar 542 raste, ndërkohë që presin për shqyrtim më shumë se 400 raste.

Mbështetje për Komisionin ka ofruar ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, i cili ka thënë se do të jenë pranë Komisionit për të mbështetur kërkesat e tyre.
Ndërsa, ish-presidentja Jahjaga, ka thënë se është kërkesë themelore edhe e aplikantëve, por edhe e institucioneve që këto raste të procedohen sa më shpejt që është e mundur.
Po ashtu, Jahjaga tha se me Komisionin kanë diskutuar edhe për vështirësitë që kanë duke filluar nga ato teknike dhe ato politike.







