“Pastrimi”

300 kontejnerët e rinj, “Pastrimi” i jep merita drejtorit te shkarkuar, Rama s’e përmend

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se nga e hëna 300 kontejnerë të rinj do të vendosen nëpër kryeqytet, ndërsa kompania rajonale për mbeturina, “Pastrimi”, për kontejnerët e rinj i dha merita ish-drejtorit për Shërbime Publike, Ilirik Musliu – që u shkarkua nga Rama ditë më parë.

Rama të shtunën, mes tjerash, lavdëroi edhe Ndërmarrjen Publike Banesore që filloi ndërtimin e kontejnerëve të cilat sipas tij do të reduktojnë mbeturinat dhe do të lehtësojnë punën e punëtorëve të pastrimit.

“300 kontejnerë të rinj nga e hëna vendosen në kryeqytet. Angazhimi serioz e përkushtimi profesional i punëtorëve plot vullnet e të palodhshëm të ndërmarrjeve tona publike, dhe potenciali i madh që kanë Ndërmarrjet tona të kryeqytetit siç është Ndërmarrja Publike Banesore sjellin efektin e vet praktik e të prekshëm. Ata, të prirë nga dedikimi e dashuria për qytetin kanë arritur të bëjnë një punë të vlefshme për të gjithë, kanë filluar vet me prodhimin e kontejnerëve, të cilët do të reduktojnë mbeturinat në kryeqytet dhe lehtësojnë punën e kushtet e punëtorëve të pastrimit”, ka shkruar Rama në Facebook.

Megjithatë, KRM “Pastrimi”, gjatë ditës së djeshme suksesin e prodhimit të kontejnerëve ia dha ish-drejtorit Ilirik Musliu dhe ish-nënkryetares Donjeta Sahatçiu, të cilët ditë më parë u shkarkuan nga Rama. Musliu u shkarkua pikërisht me arsyetimin për dështim të problemit me mbeturina.

Sipas “Pastrimit”, procesi i prodhimit të këtyre kontejnerëve u ideua dhe nisi në nëntor të 2023-s në bashkëpunim mes Musliut dhe Sahatçiut.

“Procesi i prodhimit të kontejnerëve u ideua dhe u fillua në nëntor 2023 në bashkëpunim me nënkryetaren Donjeta Sahatçiu dhe Drejtorin e Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu si nevojë që në Kryeqytet të rrisim numrin e kontejnerëve për shkak të mungesës së madhe dhe e cila ka ndikuar edhe në shërbimin cilësor. Përmes këtij projekti cilësor kemi arritur që me kosto të ulët të kursejmë edhe buxhetin e kompanisë dhe njëherit të ndihmojmë komunën në shtimin e numrit të tyre dhe e cila pritet të ndikoj dukshëm në ngritje të cilësisë”, thuhet në njoftimin e KRM “Pastrimi”.

Tutje në njoftimin e tyre bëhet e ditur se shumë shpejt do të prodhojnë edhe 1000 kontejnerë të rinj.

Përparim Rama gjatë javës së kaluar shkarkoi nga detyra edhe Musliun edhe Sahatçiun, të dy nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës. Koalicioni LDK-PDK në Prishtinë u shkëput të enjten, pasi u votua anulimi i vendimin për këmbimin e pronave në Badoc.

VIDEO BONUS: Reagon Ilirik Musliu: Shkarkimi im, provokim i ultë nga kryetari Rama ndaj partnerit të koalicionit