30 ditë paraburgim ndaj tre të arrestuarve për aferën “Brezovica”

Gjykata i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditëve tre të arrestuarve për aferën “Brezovica” të enjten.

Gjykata Themelore në Ferizaj aprovoi kërkesën e Prokurorisë për paraburgimin e Kryeinspektorit të Ministrisë së Infrastrukturës, Bedri Halimit, ish-sekretarit të Ministrisë së Ambientit, Arben Çitaku dhe biznesmenit Ismet Asllani.

“Gjykata në këtë rast gjen se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale të lartpërmendura, dhe ky dyshim i bazuar mbështet nga faktet dhe provat të cilat janë të bashkangjitura deri në këtë fazë”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

“Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër tre (3) të dyshuarve e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve i`u është caktuar masë e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji për secilin veç e veç”, tha gjykata.

Me këtë rast, gjykata tha se palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.