30 ditë paraburgim ndaj të dyshuarit për aksidentin në Pejë ku humbi jetën çiklisti
Gjykata Themelore në Pejë, i caktoi masën e paraburgim prej 30 ditësh të dyshuarit për ngasje në gjendje të paaftë apo të dehur, H.K.
Të dyshuarit H.K, gjykatësi i procedurës paraprake, Sali Berisha, ia caktoi masën e paraburgimit nga periudha 16 tetor 2018 deri me 16 nëntor 2018.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin H.K për shkak se sipas saj, ai më 16 tetor 2018, rreth orës 21:10, gjersa ishte duke qarkulluar me automjetin e tij nga drejtimi i Stacionit të Trenit në Pejë, duke qenë nën ndikim të alkoolit, ka shkelur nenin 233 par 6 lidhur me par 2 të Ligjit mbi Rregullat e Trafikut Rrugor.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, pretendohet se i pandehuri duke mos i kushtuar vëmendje dhe rëndësi çiklistit, i cili ishte para tij duke lëvizur me biçikletë në të njëjtin shirit dhe atë në anën e djathtë, me pjesën e parë të automjetit e godet çiklistin A.D, mbi gomën e pasme të biçikletës dhe si pasojë e goditjes e hedhë të dëmtuarin në asfalt, me ç’rast nga pika e goditjes e deri tek hedhja distanca është 16.80 metra, nga goditja e pësuar, ku ai vdes në vendin e ngjarjes.
Me këto veprime, H.K dyshohet se e ka kryer veprën penale “ngasje në gjendje të paaftë apo të dehur”, nga neni 379 par. 4 lidhur me par.1 të KPRK-së.