3 vjet burg, kërkohet ashpërsim i dënimit ndaj deputetes së Vetëvendosjes

Në rastin për rrënimin e aneksit të “Abi Çarshia” në Prizren, Prokuroria Themelore e Prizrenit po kërkon ashpërsim të dënimit ndaj deputetes nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Jetmire Vrenezi dhe ish-zyrtarit të Komunës së Prizrenit Islam Thaqi, derisa mbrojtja ka kërkuar lirimin e tyre ose rigjykim.

Këto ankesa u shqyrtuan të premten, pranë Kolegjit të Apelit.

Gjykata Themelore në Prizren më 17 maj 2022, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Islam Thaqi dhe Jetmire Vrenezi për keqpërdorim të detyrës zyrtare ku të njëjtit i kishte dënuar me nga 3 vite burg dhe dy mijë euro gjobë.

Ndërsa, të akuzuarit tjerë në këtë rast Egzona Morina- Thaçi, Arian Taraku, Isë Bislimaj, dhe Shqipron Krasniqi ishin liruar nga akuzat.

Kundër këtij aktgjykimi, sipas gjykatësit referues nga Kolegji i Apelit, gjykatësi Xhevdet Abazi, ankesë ka ushtruar Prokuroria Themelore në Prizren, ku sa i përket pjesës dënuese prokuroria konsideron se aktgjykimi duhet të ndryshohet dhe të akuzuarve t’iu shqiptohen dënime më të ashpra.

Kurse, sa i përket pjesës liruese, sipas gjykatësit Abazi prokuroria nuk është pajtuar me këtë pjesë, pasi që ka konsideruar se gjykata e shkallës së parë nuk i ka marrë parasysh të gjitha provat.

Tutje, gjykatësi Abazi deklaroi se, Prokuroria e Apelit ka propozuar që ankesa e Prokurorisë Themelore në Prizren të aprovohet, të ndryshohet aktgjykimi ankimor dhe të shpallen fajtor edhe të akuzuarit tjerë, ndërsa sa i përket vendimit për dënim aktgjykimi i ankimuar të ndryshohet edhe ndaj të akuzuarve të shqiptohet dënim më i ashpër.

Ankesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit dhe propozimin e Prokurorisë së Apelit, e ka mbështetur përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Taulant Hoda.

Sa i përket të akuzuarve që janë liruar, sipas avokatit Hoda gjykata e shkallës së parë ka ardhur në përfundim të gabuar lidhur me faktet dhe provat.

“Sepse provat që janë administruar në këtë gjykim dhe evidentuar në aktin gjykues nw aktgjykim, në mënyrë të qartë vërtetojnë përgjegjësinë e tyre sepse me provat e njëjta janë shpallur fajtor edhe dy të akuzuarit tjerë dhe dëshmojnë se me veprimet e tyre të një pas njëshme të njëjtit kanë marrë pjesë në vendimin e rrënimit të objektit privat që ishte në procedurë të legalizimit”, ka thënë tutje avokati Hoda.

Sipas tij, të njëjtit me dashje kanë kryer veprën penale dhe në të njëjtën kohë të njëjtit i kanë shkaktuar dëme të konsiderueshëm klientit të tij.

“Konsiderojmë se ka vërtetim të gabuar të gjendjes faktike, shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe shkelje të ligjit penal, kështu që kjo gjykatë në rastin e shqiptimit për këtë pjesë të merr aktgjykim fajësues”, ka thënë ai.

Ndërsa, në lidhje me fajësinë e të akuzuarve avokati Hoda ka konsideruar se Gjykata Themelore në mënyrë të drejtë ka vërtetuar gjendjen faktike, por sa i përket sanksionit penal ai tha minimumi i dënimit që është shqiptuar nuk është i përshtatshëm në lidhje me veprën penale për të cilën të njëjtit janë shpallu fajtor.

I njëjti tha se mbesin pranë kërkesës pasurore juridike.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Thaqi, avokati Blerim Mazreku ka thënë se gjykata e shkallës së parë e ka pasur të paqartë pjesën për kompetencat e drejtorit të inspektoratit si pozitë ose si post politik.

“Nga aktgjykimi vërehet që dyshimet tona për paqartësinë e kompetencave të drejtorit të inspektoratit kanë qenë të bazuara, ngase mund të vëreni në arsyetim se gjykata askund nuk ka përcaktuar apo nuk ka cek cili ligj përcakton kompetencat e drejtorit të këtij inspektorati”, tha thënë avokati Mazreku.

Këtë paqartësi ai tha se e kanë vërejtur edhe gjatë procedurës kur kanë propozuar që në cilësi të dëshmitarit të dëgjohet edhe një jurist në kuadër të Drejtorisë së Inspektoratit, propozim ky i cili ai tha se ishte refuzuar.

“Rrjedhimisht ka qenë e pa munduar nga ana e gjykatës që të shpall fajtor dikë për keqpërdorim të detyrës zyrtare pa e pasur të qartë kompetencat e atij personi”, ka thënë Mazreku.

Po ashtu, ai ka thënë se në këtë rast gjykata e shkallës së parë ka bërë shkelje esenciale të procedurave, nuk i ka vërtetuar tërësisht dhe drejtë faktet vendimtare në këtë çështje dhe rrjedhimit ka ardhur në vërtetim të gabuar edhe për gjendjen faktike lidhur me çështjen.

Andaj ai ka propozuar që të anulohet vendimi i shkallës së parë dhe çështja të kthehet në rigjykim ose të nxjerr aktgjykim lirues për të mbrojturin e tij.

Fjalën e tij e ka mbështetur në tërësi i akuzuari Thaqi.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarës Vrenezi, avokati Adem Vokshi ka kërkuar nga Apeli që pas shqyrtimit të pretendimeve ankimore dhe provave në dosjen e lëndës të aprovoj ankesën e zonjës Vrenezi, ta liroj të njëjtën nga akuza.

“Pasi që nuk kemi të bëjmë me veprën penale e cila i vihet në barrë, apo së paku këtë çështje ta prish dhe çështjen ta kthej në ri shqyrtim dhe rivendosje”, ka vazhduar avokati Vokshi.

Avokati Vokshi tha se duke qenë se i mbrojtura e tij është shpallur fajtore për shkak të veprës penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, vepër kjo e cila kryhet vetëm me dashje direkte në këtë rast vetë aktgjykimi i atakuar sipas tij më së miri e sqaron mungesën e dashjes së Jetmire Vrenezit.

“Ku në fundin e faqes 58 të aktgjykimit gjykata e shkallës së parë konstaton: “andaj edhe ligji për trajtimin e ndërtimeve pa leje hyn në dokumentin e ndërtimit, kështu që e pandehura ka qenë dashtë të ishte më koshiente karshi ligjeve në fuqi e që afektojnë në punën e saj, pasi që mosnjohja e ligjit nuk amniston askënd”, tha avokati Vokshi duke cituar pjesë të aktgjykimit të ankimuar.

Sipas tij, Vrenzi nuk ka pas dashje, e aq më pak dashje direkte për të vepruar në mënyrë të kundërligjshme, por që eventualisht do të mund të kishte mosnjohje të ligjit sipas gjykatës së shkallës së parë dhe arsyetimin që ajo e ka dhënë.

“Pra, në tërë këtë proces mungon në tërësi dashja e të gjithë të pandehurve për të shkaktuar çfarëdo dëmi palës së dëmtuar e që është element esencial për ekzistimin e vepër penale që i vihet në barrë”, ka thënë Vokshi.

Deklarimin e tij, e ka mbështetur në tërësi, e akuzuara Vrenezi.

Mbrojtësi i të akuzuarës Egzonë Morina-Thaqi, avokati Valdet Hoxha dhe mbrojtësi i të akuzuarit Shqipron Krasniqi avokati Hamdi Jashari, e kanë kundërshtuar ankesën e prokurorisë së shtetit pasi që sipas tyre, aktgjykimi i shkallës së parë është marrë në mënyrë të drejtë.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 20 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Islam Thaqi, Jetmire Venezi, Egzonë Morina-Thaqi, Arian Taraku dhe Isë Bislimaj, të cilët po i ngarkon me veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në aktakuzë thuhet se me 19 dhe 21 korrik 2019 në Prizren, në objektin “Abi Çarshia”, të akuzuarit Islam Thaqi, në cilësinë e drejtorit të Inspektoratit, Jetmire Verezi dhe Egzona Morina Thaqi, inspektore të ndërtimit, Arianit Taraku dhe Isë Bislimaj, zyrtarë në Drejtorinë e Inspektoratit, Shqipëron Krasniqi, përfaqësues ligjor në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i tejkalojnë kompetencat e tyre me qëllim të shkaktimit të dëmit “Abi” SH.P.K në Prizren.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit realizojnë rrënimin e aneks-objektit të “Abi Çarshia”, duke e ditur se i dëmtuari ka dorëzuar aplikacionin për legalizim.

Prokuroria pretendon se të njëjtit kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje, me Udhëzimin Administrativ nr.06/19, me Ligjin mbi procedurën e përgjithshme administrative, si dhe vendimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nr. A-213/18 dhe A-179/19, me të cilat ishin anuluar aktvendimet e Drejtorisë së Inspektoratit Komunal të Ndërtimtarisë në Prizren.

Sipas Prokurorisë, këto vendime obligojnë organet komunale në Prizren të veprojnë konform Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, si dhe udhëzimeve administrative në fuqi, andaj sipas aktakuzës, të akuzuarit duke mos i përfillur këto vendime, veprojnë në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Dëmi që pretendohet se i është shkaktuar “Abi Çarshia”, me rrënimin e ankesit në fjalë, është në vlerë prej 69,729.66 euro.

Me këto veprime, të gjithë të akuzuarit ngarkoheshin se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 paragraf 2-1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi