28-vjeçari që ka punuar në Shqipëri, dëshmitari okular i vrasjes së gruas në Capitol

Një prej pjesëmarrësve më të zellshëm të protestës së dhunshme në godinën e Kongresit amerikan ditën e certifikimit të Joe Biden, ka punuar për disa vite në Shqipëri.

Thomas Baranyi, 28 vjeç, ka qenë pjesë e Peace Corps, një organizatë e qeverisë amerikane e përbërë nga vullnetarë të cilët japin kontributin e tyre në vendet në zhvillim.

Sipas mediave amerikane, Baranyi, i cili është nga Nju Xhersi, ka qenë në Shqipëri në periudhën 2018 – 2020, shkruan “NJ Advance Media”, pasi ka konfirmuar praninë e tij me tre vullnetare që kanë shërbyer bashkë me të.

Baranyi u bë personazh i protestës së dhunshme, pasi ishte dëshmitar okular i vrasjes së Ashli Babbitt nga policia e Kapitolit gjatë përleshjeve brenda në godinë. Ai tregoi për mediat momentet e fundit të 35-vjeçares, por video është fshirë nga YouTube.

Në intervistë, Baranyi mban lart dorën me gjak, teksa shpjegon sesi u vra Babbit, teksa po qëndronte ngjitur me të.