Numri i vrasjeve në Kosovë ka shënuar ngritje nga viti në vit, ky fenomen tashmë është bërë alarmant për shoqërinë. Nga fillimi i këtij viti, Kosova është tronditur me dhjetëra vrasje, ku rasti i fundit është i Liridona Ademajt, vrasjen e së cilës dyshohet se e planifikoi bashkëshorti i saj.
Vetëm brenda 10 mujorit të viti 2023 në Kosovë janë shënuar 26 vrasje, numër ky që është rritur krahasuar me viti 2022. Sipas të dhënave nga Policia e Kosovës, gjatë viti 2022 janë shënuar 21 vrasje, shkruan Ballkani.info.

Sipas të dhënave nga Policia e Kosovës gjatë vitit 2022 kanë ndodhur shtatë raste “vrasje e rëndë” (vrasje brenda familjes). Në këto shtatë raste janë evidentuar 8 viktima (një rast me dy viktima), 4 meshkuj dhe 4 femra.
Kurse, gjatë periudhës janar-tetor 2023 Policia ka bërë të ditur se kanë ndodhur 4 raste “vrasje e rëndë’ (vrasje brenda familjes), në këto katër raste janë evidentuar 5 viktima (një rast me dy viktima), 2 meshkuj dhe 3 femra. Ndërsa me vrasjen e Liridona Ademajt, janë gjithsej 4 gra të vrara.
Vrasjet që tronditën vendin gjatë 2023:
Vrasja që tronditi opinionin ishte ajo e Liridona Ademajt, e cila u privua nga jeta mbrëmjen e 29 nëntorit. Fillimisht, Policia e Kosovës, e kishte raportuar rastin si “grabitje me pasoja të vrasjes”.
Ndërsa, dy ditë me vonë, Policia njoftoi për arrestimin e dy personave, dorasin Granit Plava dhe Naim Murseli bashkëshortin e viktimës, të dyshuar për vrasjen e saj.
Pak orë më vonë, Ministria e Mbrojtjes e Kosovës, konfirmoi se në mesin e të arrestuarve për këtë rast, si i dyshuar është edhe Kushtrim Kokallaj, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Një vrasje tjetër që kishte tronditur opinionin ishte ajo e 20 shtatorit në Banjë të Malishevës. Një person ishte gjetur pa shenja jete, ai ishte qëlluar me armë zjarri. Për këtë rast ishte vetëdorëzuar në polici një person.
Më 11 shtator 2023 në rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë kishte ndodhur një vrasje. E gjithë ngjarja kishte ndodhur në sytë e një fëmije 4 vjeçar.
Më datën 3 shator të vitit 2023, një person ishte vrarë në Prizren para syve të familjes së tij.
Një tjetër vrasje e rëndë kishte ndodhur me 31 gusht, ku për vdekje ishte qëlluar një 29 vjeçar në Balincë të Malishevës. Ngjarja kishte ndodhur në tregun e druve. Për këtë rast janë arrestuar tetë persona ndaj të cilëve ishte caktuar masa e paraburgimit.
Ndërsa më datën 10 gusht të vitit 2023, në Skenderaj, u vra një 39-vjeçar dhe mbetën të plagosur tre të tjerë. Nga hetimet e para, policia kishte deklaruar se dy persona të dyshuar e të maskuar kishin hyrë brenda në kafiteri, kanë shtënë me armë dhe janë larguar në drejtim të panjohur.
Një tjetër person u vra me 7 gusht të viti 2023, ngjarja kishte ndodhur në Klinë. Viktima dhe i dyshuari kishin lidhje familjare. Dorasi Tush Frroku fillimisht kishte ikur nga polica e pas disa ditëve pastaj ishte vetdorëzuar. Tush Frroku, në të kaluarën kishte kryer edhe vepra të tjera penale.
Më datën 5 gusht të vitit 2023 kishte ndodhur një vrasje në “Bon Vivant”, po në të njëjtën ngjarje kishin mbetur të plagosur 6 persona dhe 10 të tjerë ishin lënduar.
Më 2 gusht të vitit 2023 ishte vrarë shtetasja argjentinase në Fushë-Kosovë, nga i dashuri i saj. Vrasje tjetër ndodhi edhe në Viti më 21 korrik ku i vrarë mbeti një person i moshës 17 vjeç, i cili ishte therur me thikë nga një bashkëmoshatar i tij.
Më 25 qershor të vitit 2023, kishte ndodhur një vrasje për tokë në Gjakovë, ndërkaq i dyshuari kishte thënë se dy vëllezërit i vrau në vetëmbrojtje.
Më datën 14 prill të vitit 2023 një grua ishte ekzekutuar në Pejë, kurse i dyshuar ishte djali i saj. Ngjarja kishte ndodhur në rrugën “Mbreti Zog”. Ndaj dorasit Prokuroria ngriti aktakuzë.
Sipas aktakuzës, i pandehuri U.H, më datë 14 prill të vitit 2023, në qytetin e Pejë, ka privuar nga jeta, nënën e tij, viktimën H.H., me dyshimin e bazuar mirë se ditën kritike në rrethana të përgjegjësisë se zvogëluar mendore në shkallë esenciale, viktimës i ka shkaktuar mbi 20 plagë në pjesë të ndryshme të trupit, duke e privuar të ndjerën nga jeta.
Më datën 24 janar të vitit 2023, në Kaçanik nga Policia e Kosovës ishte gjetur një burrë i moshës 48-vjeçar i vrarë në veturën e tij. Më pas u bë e ditur se i vrarë ishte Nysret Cena. Nga hetimet e para, ekzaminimit të vendit të ngjarjes dyshohej se personi/persona të panjohur në Kaçanik të Vjetër nga afërsia kanë shti breshëri plumbash mbi automjetin dhe shoferin e më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur. /Ballkani.info/
BONUS VIDEO: Koeficienti 110| Jasharaj mësimdhënësit do të marrin vetëm 28 euro më shumë







