256 qytetarë kërkojnë ndihmë në QKUK brenda 24 orëve, shkak temperaturat e larta

Në 24 orët e fundit në klinikën emergjente kanë kërkuar ndihmë mbi 256 persona, numri i këtyre rasteve është shtuar për shkak të ngritjes së temperaturave.

Rastet që kërkuan ndihmë më së shumti janë persona të shtyer në moshë, nënat shtatzëna si dhe fëmijët.

Drejtori i Klinikës Emergjente në Prishtinë, Basri Lenjani, tha se këto temperatura shtojnë sëmundjet e ndryshme duke filluar nga sëmundjet kronike.

“Këto temperatura shtojnë semundjet kronike, epilpsinë, goditjet në zemër, problemet me shtypje të lartë, problemet metabolike, problemet lekurore që lidhen me djegie të lekurës apo reaksione tjera alergjike”, tha Lenjani për Ballkani.info.

Për të evituar problemet me diell dhe sëmundjet që shton ai, Lenjani, thotë se qytetaret që nga ora 11:00 deri në orën 17:00 nuk duhet fare të ekspozohen në diell dhe duhet të qëndrojnë në hapësira shtëpiake. Të pinë sa më shumë lëngje si dhe të vishen me ngjyra të qelura dhe t’i ikin ngjyrave të mbyllura sepse ato absorbojnë rrezet e diellit.

“Pini lëngje, brenda 24 orëve të paktën 2 litra, përdorni kondicionerët, hani ushqim të pastër me karbohidrate, me pak yndyra, me shumë vitamina”, këshillon ai.

Poashtu nënat shtatzëna duhet të ruhen më së shumti në këtë kohë, ushqimin t’a marrin të freskët ose t’a ruajnë në frigorifer.

Ndërsa sa i përket aktiviteteve familjare ata mund t’i kryejnë ato gjatë orëve të hershmë të mëngjesit nga ora 07:00 deri në orën 11:00 ose pas orës 17:00./Ballkani.info/