Video

VIDEO| 25 vjetori i masakrës në burgun e Dubravës, kërkohet drejtësi nga institucionet

25 vjet më parë në burgun e Dubravës është kryer një ndër masakrat më të mëdha në Kosovës, kundër shqiptarëve nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit.

Brenda hapësirave të burgut ishin vrarë 160 të burgosur shqiptarë dhe mbi 300 të tjerë ishin plagosur.

Kjo masakër ishte kryer nga data 19 deri 24 maj të vitit 1999-të.

Në përkujtim të kësaj masakre, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe të mbijetuarit vizituan hapësirat e burgut të Dubravës.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Masakrën e Dubravës e  ka quajtur projekt gjenocidal të Serbisë

“Projekti gjenocidal i Serbisë për zhdukjen e shqiptarëve në Kosovë hyri edhe brenda Burgut të Dubarvës. Kjo ndërtesë u kthye në kamp të përqendrimit politik me mbi 980 politik shqiptarë vetëm për shkak të bindjeve të tyre politike”, tha Haxhiu.

Haxhiu është zotuar për zbardhjen e drejtësisë.

“Deri më tani as drejtësi vendore e aq më pak ajo ndërkombëtare nuk kanë arritur t’i dënojnë kriminelët që e organizuan planin e kësaj masakre. Masakra e Dubravës është trajtuar vetëm në procedurën gjyqësore kundër Sllobodan Millosheviit, i cili vdiq pa u dënuar. Me lejoni që të ju informoj që në lidhje me masakrën e Dubravës tashmë po zhvillohen hetime nga Prokurori Speciale dhe në këtë moment janë 40 të pandehur dhe në fund të vitit të kaluar Prokuroria Special ka ngritur aktakuzë kundër një të dyshuari. Nga këtu do të zotohemi që të ketë drejtësi”, theksoi ajo.

Daut Haradinaj në përvjetorin e Masakrës së Dubravës ka kërkuar nga të gjithë liderët të jenë të bashkuar në raport me Serbin.

Kurse, i mbijetuari i masakrës, Sadik Zeqiri, ka kërkuar nga Institucionet e Kosovës të bëjë arrestimin e personave që kanë kryer krimin në burg.

Ndërsa, i dyshuari kryesor për vrasjen e shqiptarëve në Burgun e Dubravës është Sinisha Petriq i njohur me nofkën ‘Zenica”.

Ai në kohën e bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe ishte dërguar në Burgun e Dubravës si burgosur, por aty i ishte dhënë një armë dhe kishte marrë pjesë në ekzekutimin e të burgosurve shqiptarë.

Petriq kishte marrë një ofertë të vrisni shqiptarët e burgosur në këmbim të lirisë. Ai bashkë me ekzekutorë të tjerë, lidhen me dyshimet për vrasjen e 95 shqiptarëve.

Sinisha Petriq është ekstraduar nga shteti i Spanjës para pak kohe. Ai tani më ndodhet në Bosnje dhe Hercegovinë duke vuajtur dënimin në kohëzgjatje prej 10 vitesh./Ballkani.infio