25 vjet më parë ra në altarin e lirisë dëshmori i parë i Baballoqit, Ramiz Batusha

Sot janë bërë 25 vjet që nga rënia e dëshmorit të parë të Baballoqit, Ramiz Batusha.

Ramizi është përkujtuar sot nga shokët e tij 25 vjet më pas.

Më 25 maj të vitit 1998, në këtë ditë të kobshme bie heroikisht dëshmori i parë i Baballoqit dhe dëshmori i parë pas betejës së Gllogjanit të 24 marsit të po atij viti.

Luftëtari i pashoq i UÇK-së, shembulli i rinisë së fshatit – bie heroikisht për të mos vdekur kurrë!

Dy dëshmorët e Baballoqit, Ramiz Batusha (majtas) dhe Zenun Mataj

Ramiz Batusha u bë sinonim i luftës për liri, luftës kundër pushtuesit shekullor. Ramizi u vra që të tjerët të marrin forcë nga guximi i tij, të marrin vullnet që luftën ta qojnë deri në fund.

Edhe pse i plagosur, Ramizi në ditën e rënies vendosi të shkonte front. Askush nuk mundi ta ndalte që t’ju bashkohej shokëve në pikën e parë të zjarrit.

“Rënia e Ramizit ishte përjetim i rëndë. Ishte djaloshi që ne e merrnim si shembull për gjithçka. Na goditi rëndë vdekja e tij, mirëpo edhe na dha forcë që amanetin e tij ta qojmë deri në fund”, kishte rrëfyer kohë më parë bashkëluftëtari i tij, Florim Mataj.

Florimi tregon se si ishte pikërisht Ramush Haradinaj, komandant i Zonës Operative të Dukagjinit, ai që e varrosi Ramizin afër xhamisë së fshatit dhe se si i motivoi ata për ta përballuar këtë humbje të madhe.

“Pasi që e varrosëm Ramizin, komandanti Ramush Haradinaj në mbrëmje na mbajti fjalim dhe na dha kurajo e mbështetje. Ai na rrëfeu edhe ngjarjen e ditës së rënies së vëllait të tij, Luanit në kufirin me Shqipërinë, në vitin 1997”, tregonte Florimi.

Edhe sot, 25 vjet nga rënia e Ramizit, Florimi e ka përkujtuar shokun e tij të fëmijërisë dhe luftës. /Ballkani.info/