25 ftesa nga Specialja, priten arrestimet e katër personave

Janë bërë pothuajse më shumë se një vit që kur Gjykata Speciale ka nisur të ftoj për intervistim ish-pjesëtarë të UÇK-së, pasi të njëjtit po pretendohet se kanë kryer krime gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Mirëpo, kjo gjykatë ende nuk ka ngritur asnjë aktakuzë për personat e dyshuar.

Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Prokurorisë së Hagë,Christopher Bennett i ka thënë sot lajmi.net, se puna është duke vazhduar dhe se nuk mund të flasin për afate kohore se kur mund të ndodhë ngritja e aktakuzave.

“SPO nuk ka jep informacion mbi statusin e hetimeve të cilat janë duke vazhduar. Nuk mund të flas as për afate kohore, për arsye profesionale, etike dhe ligjore”, ka deklaruar Bennett.

Ndërkohë, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka deklaruar se që nga e premtja kanë ardhur 24-25 ftesa.

“Po kanë marrë ftesë, anëtari i Kryesisë, Sejdi Veseli, bashkëluftëtar i UÇK-së, Fadil Beka ka marrë i pari edhe këta dy sot. Kanë ftuar goxha shumë, që nga e premtja mirëpo, sot edhe nesër do të bëhen publike diku janë 24-25 ftesa”, ka thënë Gucati për lajmi.net duke shtuar se emrat e këtyre të ftuarve nuk janë bërë publik për shkak të privatësisë.

Tutje, ai ka thënë se në fund të këtij muaji mund të ngritën aktakuzat e para pasi ato tanimë janë në përfundim.

“Jemi duke pritur që në fund të këtij muaji të ngritën aktakuzat ose në fillim të nëntorit dhe kjo është reale sepse aktakuzat veç janë në përfundim e sipër me gjasë do të ndodhë që do të ketë edhe arrestime. Për tre-katër persona është duke u folur që do të arrestohen. Kështu që ftesa kanë arritur shumë edhe unë veç e kam paralajmëruar me kohë që muaji shtator-tetor do të jetë muaj i nxehtë për organizatën e veteranëve që do të ftohen shumë veteranë dhe kjo doli e vërtetë sepse kanë arritur shmë ftesa në Kosovë që nga dita e premte”, ka përfunduar Gucati.

loading…