24 vjet nga Beteja e lavdishme e Baballoqit
Sot shënohet 24 vjetori i nisjes së luftimeve frontale të UÇK-së në Rrafshin e Dukagjinit. 24 vjet më parë ishin djemtë e Baballoqit që ia kthyen pushkën armikun, duke u përballur me forcat serbe në Betejën e njohur të Baballoqit.
Më 21 prill të vitit 1998 forcat serbe sulmuan fshatin Baballoq duke bërë kështu që të niste lufta frontale në Dukagjin, zonë kjo që u drejtua nga fillimi e deri në përfundim të luftës, nga Ramush Haradinaj.
Ka qenë edhe vetë Haradinaj që ka shkruar sot për përvjetorin e kësaj beteje.
“Beteja në Baballoq me 21 prill 1998, nisi një kapitull të ri të Luftës Çlirimtare. Ushtria Çlirimtare e Kosovës, nga njësitet guerile, po kalonte në fazën e kryengritjes gjithëpopullore. Në mbarë rajonin e Dukagjinit nisi një mobilizim i madh dhe u krijuan vijat e para frontale dhe zonat e lira, ku pushtuesi i egër kishte humbur kontrollin ushtarak e administrativ”, ka shkruar Haradinaj.
Për këtë përvjetor të rëndësishëm të luftës së UÇK-së është deklaruar edhe njëri nga drejtuesit e luftës në këtë fshat, Florim Mataj.
“Sot 24 vjet më parë, në Baballoq të Deçanit filloi beteja e parë frontale në Rrafshin e Dukagjinit.
Pikërisht më 21 prill 1998, në ora 10:45 të ditës, forcat serbe sulmuan me tërë arsenalin, me ç’rast ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u bënë kala e pathyeshme, duke e mbajtur këtë vijë frontale me istikame që vlonin nga atdhedashuria dhe heroizmi i pashoq i të gjithë atyre djemve, që pa mëdyshje iu përgjigjën zërit të Atdheut. Atë ditë pranvere, ne kishim dy misione, zjarrit t’i përgjigjeshim me zjarr, por edhe evakuimin e civilëve nga fshati. Falë guximit dhe idealeve të brumosura në shpirt, doli që kjo betejë të jetë një leksion për forcat armike dhe kushtrim për t’iu bashkuar masovikisht luftës për çlirim. Beteja e Baballoqit, pas Epopesë së 24 Marsit, u bë motiv për secilin nga ne që mbanin emblemën e UÇK-së, forcë e besim për secilin qytetar që ëndërronte lirinë. Kjo edhe falë organizimit dhe strategjisë së Komandantit të ZOD-it, z.Ramush Haradinaj. Pranverat vijnë e shkojnë, lavdia u takon atyre, heronj e bashkëluftëtarë, me të cilët ndamë krenarinë dhe qëndresën, e që një pjesë e tyre e vulosën me gjakun e derdhur për liri. Ata janë kulla jonë e kujtesës, ndërgjegjja jonë kombëtare që i flet shekujve. Lavdi e përjetshme për të gjithë heronjtë e rënë për lirinë e Kosovës! Këto foto, ku në mesin e tyre ka edhe heronj, me të cilët ndamë jo vetëm fishekun e fundit, por edhe djersën e gjakun, janë dëshmi se si luftohet e vdiset heroikisht”, ka shkruar Mataj.


