24 vite ne pritje të drejtësisë për viktimat e masakrës së Krushës së Madhe

Familjarët e viktimave të Krushës së madhe tash e 24 vite janë duke pritur e kërkuar drejtësi për familjarët e tyre të vrarë e të masakruar nga regjimi serb, një pjesë e tyre edhe pas kaq shumë vitesh ende nuk dinë gjë për fatin e familjarët e tyre.

Vera Hoti, e cila i ka të vrarë pesë anëtar të familjes, të cilët ishin djegur e masakruar, tha se kërkon nga shteti që të vihet drejtësia për viktimat dhe të zbulohet fati i të zhdukurve.

“I kam të vrarë babai Ibrahim Hoti, motra Valbona Hoti, e cila është e djegur në shtëpi. Të zhdukur kam vëllain dhe dy djem e axhës. Në Krushë na mungoj edhe 64 persona për të cilët nuk kemi as një informacion. Dhe kërkojmë që qeveria jonë e institucionet tona që të bëjnë trysni më të madhe në Serbin që të tregojnë vendit, faktet se çka kanë bërë me këtë trupa të Krushës së madhe që i ka humbur gjurmët e tyre. E të dimë për fatin e tyre që na mungojnë që 24 vite”, tha ajo.

Ajo për Ekonomia Online, tregoj historinë se si familja e saj pas dëbimit nga shtëpia, në një kodër lartë e kishin parë duke u djegur shtëpinë e tyre, ku brenda saj u dogjën edhe babai e motra saj.

“Me 24 mars familja ime, nëna me gratë e vëllezërve dhe vëllain janë dënuar nga shtëpia dhe kanë qenë në një kodër matan fshatit. Moment i pa harruar është se nëna tregonte që vëllai kishte parë shtëpitë tona duke u djegur dhe i kishte thënë anëtarëve të tjerë të familjes që mos i tregoni nënës se shtëpitë po digjen, e në shtëpi ka qenë baba me motrën. Nuk kanë shkuar 7-8 orë edhe vëllai është rrëmbyere me shumë meshkuj të therë që kanë qenë të strehuar në atë kodër. Gjithmonë nëna ka vdekur duke thënë se më kujtohet Avnia ku tha, mos i tregoni nënës që po digjen shtëpitë, që nënat mos të brengoset për fatin e babit dhe motrës. Djemtë e axhës ashtu kanë qenë grup, kushërinjtë e mi, bashkëfshataret e tjerë që sot e atë ditë nuk dihet. Është më të vërtet shumë e madhe, një dhimbje e pa shërueshme”, tha ajo për EO.

Sara Krasniqi, tha se sot e asaj ditë nuk e ka ide e ndjenjës e se pasurit gjysh, dajë e teze, pasi që të tret asaj forcat serbe i kishin vrarë gjatë masakrës së Krushës së Madhe.

“Sot jam këtu më mamin për me përkujtuara 24 vjetorin e të zhdukurve në fshatin Krushë e madhe. Unë e kam dajën, tezen edhe gjyshin e zhdukur. Sot e e asaj ditë nuk e di ndjenjën e të pasurit një gjysh, një dajë edhe një teze, kjo është një dhimbje shumë e madhe për mua që kam pasur dëshirë që me pas kujtime të bukur me ta. Shpresoj që fati i tyre do të zbulohen dhe të dihet se ku janë”, tha ajo.

Mirjeta Nalli, e cila kishte të humbur 3 axhallarët e babin e zhdukur, tha se kërkojnë që të zbardhet fati i të gjitha viktimave.

“Unë e kam të vrarë babin dhe tre axhallarët. Tre axhallarët i kam të varrosur ndërsa babin e kemi të zhdukur. As eshtrat nuk e dimë ku i ka, kërkojmë drejtësi nga shteti që të zbardhet fati i gjithë viktimave të kësaj masakre”, tha ajo.

Më 25, 26 e 27 mars të vitit 1999, në fshatin Krushë të Rahovecit janë masakruar 243 persona, ndërsa 893 shtëpi private dhe shoqërore u dogjën.

Masakra e Krushës së Madhe është një nga masakrat më të turpshme e kryer mbi popullsinë civile dhe njëra ndër masakrat dhe vrasjet masive që u bënë prej paramilitarëve, policisë dhe ushtrisë okupuese serbe anekënd Kosovës.