Sazan Ibrahimi

23 komuna s’e përkrahin faljen e 100 eurove nga tatimi në pronë

Njëzet e tre komuna të Republikës së Kosovës nuk e kanë përkrahur Ligjin për tatimin në pronë, që mundëson faljen deri në 100 euro.

Kështu ka thënë drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi.

Ibrahimi e ka vlerësuar të gabuar këtë vendim, pasi sipas tij, dëmi i përgjithshëm i komunave llogaritet të jetë milionësh.

Në këtë situatë sipas tij, do të ndikojë edhe mendimi juridik i Gjykatës Supreme, ku mësimdhënësit duhet të kompensohen për licencimin e tyre si dhe normën e inflacionit.

“Deri në momentin që po flasim, janë 23 komuna të cilat nuk kanë marrë vendim apo nuk e kanë shqyrtuar çështjen e faljes së Tatimit në Pronë. Pra janë 23 komuna dhe dy të tjera janë në proces gjatë ditës së sotme e kanë çështjen e faljes së Tatimit në Pronë në vlerë deri në 100 euro. Po shihet që shumica e komunave nuk kanë hyrë në këtë proces, duke marrë parasysh se buxhetet e tyre komunale do të dëmtoheshin me qindra mijëra euro dhe në total i bie me miliona euro”, ka thënë Ibrahimi.

“Duke marrë parasysh që niveli qendror nuk është duke u marrë edhe me çështjen e kontratave kolektive, pastaj në 23 komuna në Kosovë i ka shkurtuar me miliona euro investimet kapitale për projektet e reja dhe duke u marrë parasysh edhe faljen e Tatimit në Pronë, atëherë në takimin e Këshillit të Kryetarëve ku i diskutuam këto çështje, u konkludua që komunat e Kosovës vitin e ardhshëm do të gjinden në një situatë shumë të pavolitshëm financiare sa i përket investimeve kapitale”, ka thënë Ibrahimi.

Sipas Ibrahimit, komunat që nuk e kanë ndërmarrë këtë vendim për faljen e 100 eurove nga Tatimi në Pronë, është bërë për shkak të pamundësisë për të realizuar të hyra më shumë vetanake./EO