Koronavirusi

21 pacientë të shtrirë në Klinikën Infektive, një në intensiv

Në Klinikën Infektive është kthyer numri dyshifrorë i pacientëve që po trajtohen aty. Këtë të hënë janë 21 pacientë të cilët janë të shtrirë në këtë klinikë. Prej tyre pesë janë me oksigjeno-terapi dhe një paciente në kujdesin intensiv.

Infektologja Vera Berisha-Ndreja thotë për KosovaPress se gjendja e pacientëve është e mirë, ndërsa gjatë ditës priten rezultatet edhe për tre persona.

“Në Klinikën Infektive janë të shtrirë 21 pacientë, prej tyre 13 i kemi Covid-19 pozitiv. Ndërsa, me oksigjeno-terapi i kemi pesë pacientë. Kemi edhe pesë pacientë të tjerë të cilët sipas rregullave kanë rezultuar dy herë negativë, por ende kanë nevojë për trajtim. Ndërsa, tre pacientë të tjerë i kemi në pritje të rezultateve që nuk do të thotë që nuk ndryshon numri gjatë ditës varësisht prej fluksit të qytetarëve… pra pesë i kemi në oksigjeno-terapi dhe një pacient është në kujdesin intensiv, por edhe ai është me oksigjeno-terapi”, thotë Berisha-Ndreja.

Derisa flet për gjendjen e pacientes e cila po trajtohet në kujdesin intensiv, tregon se është e moshës mbi 50-vjeçare.

“Pacientja në mjekimin intensiv është diku rreth 52-vjeçare. Ndërsa, pacientët tjerë janë të moshave të ndryshme, por nuk kemi mosha shumë të reja”, thekson ajo.

Rritja e numrit të konfirmuar me Covid-19, dhe atyre që po trajtohen në Klinikën Infektive, sipas saj nuk është risi, meqë Berisha-Ndreja konsideron se numri mund të rritet.

“Të dalin njerëzit sipas orareve të caktuara, jo në turma të mëdha, dhe gjithmonë me masa mbrojtëse”, deklaroi ajo.

Nga 13 marsi kur edhe janë konfirmuar rastet e para me koronavirus në Kosovë, janë 884 të infektuar me këtë sëmundje, 655 janë shëruar, ndërsa 28 kanë humbur betejën me këtë sëmundje.