21 milion euro për karburantin e institucioneve shtetërore, Shehaj: Ministria e Brendshme gënjeu dje

Dy ditë më parë, ish-deputeti i PD-së, Agron Shehaj denoncoi tenderin mbi 21 milionë euro për blerjen e karburantit për të gjitha institucionet shtetërore për tre vitet e ardhshme.

Sipas Shehajt, bëhet fjalë për një tender pa garë, me fitues të pacaktuar dhe me një çmim më të lartë se çmimi i pakicës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Shehaj akuzon Ministrinë e Brendshme, duke thënë se gënjeu për çmimin e naftës, duke iu referuar komunikatës së djeshme të ministrisë.

“Dje, Ministria e Brendshme lëshoi një komunikatë qesharake dhe gënjeu duke thënë se çmimi i blerjes nuk është 177,1 lekë për litër, sa denoncova unë, por 170 lekë për liter”.

Postimi i Agron Shehajt:

Dy ditë më parë denoncova tenderin korruptiv mbi 21 milionë euro për blerjen e karburantit për të gjitha institucionet shtetërore, për tre vitet e ardhshme. Ishte një tender pa garë, me fitues të paracaktuar, me një çmim më të lartë se çmimi i pakicës!

Dje, Ministria e Brendshme lëshoi një komunikatë qesharake dhe gënjeu duke thënë se çmimi i blerjes nuk është 177,1 lekë për litër, sa denoncova unë, por 170 lekë për litër.

Po edhe sikur të marrim çmimin e gënjeshtërt të ministrisë, 170 lekë për litër, sot nafta me pakicë shitet me 158-168 lekë për litër (fotot janë bërë sot në mëngjes).

Vetëm një qeveri e korruptuar dhe e kapur mund të blejë miliona litra karburant me një çmim shumice më të shtrenjtë se çmimi i pakicës i pompave të karburantit.

Vjedhje dhe korrupsion që duhet të hetohet menjëherë.

loading…