200 ndeshje dhe 123 gola, rekordmeni Ronaldo flet pasi hyri në librin e rekordeve botërore “Guinness”

Nata e mbrëmshme ishte e veçantë për Cristiano Ronaldon.

Ylli portugez hyri në librin e rekordeve botërore “Guinness” për më së shumti paraqitje për Kombëtaren.

38 vjeçari në fakt arriti në kuotën e 200 ndeshjeve me Portugalinë, diçka që s’e ka arritur askush në histori të futbollit, shkruan ”Gazeta Express”.

Dhe, futbollisti i Al-Nassr e festoi në mënyrë të veçantë këtë arritje duke shënuar në fitoren e portugezëve kundër Islandës, 1:0.

Pas ndeshjes, ish-futbollisti i Sporting Lisbonës, Manchester Unitedit, Real Madridit dhe Juventusit e bëri një postim në rrjetet sociale, duke e shprehur gëzimin e tij dhe lumturinë për këtë arritje të jashtëzakonshme.

“200 ndeshje me të njëjtin përkushtim, dedikim dhe përgjegjësi, njëjtë si në herën e parë kur luajta me këtë fanellë. Unë jam këtu, duke vazhduar të shënoj, duke e ndjekur ëndrrën dhe të jap gjithçka për ekipin dhe për vendin tim. Për dashurinë ndaj Portugalisë”, ka shkruar Ronaldo në Instagram.

Krahas më së shumti ndeshjeve, “CR7” e mban rekordin edhe për më së shumti gola për Kombëtaren.

Ai ishte shpallur kampion i Evropës me Portugalinë dhe konsiderohet si njëri prej futbollistëve më të mirë në histori të futbollit.