Rreth 2 milionë euro është kostoja e shpenzimeve për 120 deputetët, të cilët, prejse e kanë marrë mandatin, nuk e kanë kryer asnjë punë, përpos konstituimit të legjislaturës së nëntë. Gjatë periudhës së muajve prill-tetor, rreth 1.4 milionë euro kanë shkuar në paga dhe mëditje të deputetëve, e 571 mijë euro për stafin mbështetës të tyre
Pa e kryer kurrfarë pune që nga 15 prilli e deri më sot, Kuvendi ka shpenzuar afër 2 milionë euro vetëm në paga të deputetëve dhe të asistentëve të tyre.
Sipas të dhënave të siguruara nga Kuvendi, vetëm në periudhën midis muajve prill e tetor, për pagat e ligjvënësve janë paguar 1 milion e 371 mijë euro.
Krahas tyre, janë paguar edhe 571 mijë euro të tjera për paga të zyrtarëve të lartë personalë të deputetëve, të cilët i kanë angazhuar që t’u asistojnë në punë, ani se nuk bënë gjë.
Shuma e përgjithshme e pagave për deputetët për periudhën prill-tetor 2025 është 1.371,017.46 euro. Shuma e përgjithshme e pagave për stafin mbështetës politik për periudhën prill – tetor 2025 është 571,130.78 euro”, kanë bërë të ditur në Kuvend.
Me gjithë këto shpenzime, legjislatura e nëntë pritet që ta përfundojë mandatin pa e lënë ndonjë gjurmë, po qe se më së largu deri më 5 nëntor nuk formohet Qeveria e re.
Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka thënë se shpenzimet më të paarsyeshme që kanë qenë ndonjëherë në Kosovë, janë pikërisht pagat e deputetëve të kësaj legjislature. /koha.net







