Për herë të dy brenda dy ditësh banorët e fshatit Poçestë dhe Gorazhdec të Pejës kanë protestuar kundër dislokimit të materieve që ata i quajnë të rrëzikshme, nga kompania e naftës, Shala Swiss Oil, respektivisht në pronën që e posedon kjo kompani në fshatin Poçestë.

Banorët e këtyre fshatrave kanë thënë se nëse brenda dy ditësh nuk largohen buret me këto kimikate, ata do ta bllokojnë komplet rrugën.

Përfaqësuesi i protestuesve, Naim Bytyqi ka thënë për Ballkani.info se në vendimin e prezantuar nga Shala Sëiss Oil dhe i lëshuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për vendosjen e këtyre kimikateve aty, ka dyshime për falsifikim, prandaj sot kanë hapur rast në Policinë e Kosovës në Pejë.

“Zona e përcaktuar në vendim del të mos jetë fshati Poçestë, por fshati Radavc, prandaj ne sot i jemi drejtuar Policisë së Kosovës që të sqarojë në detaje vendimin. Po ashtu në vendim flitet për 80 bure, kurse kompania i ka sjellë 200 bure”, ka thënë Bytyqi për Ballkani.info.

Ai ka thënë se presin që brenda dy ditësh të marrin një përgjigje dhe të largohen materiet, në të kundërtën do ta bllokojnë rrugën.

Materia është larguar nga ish-kombinati i lëkurë-këpucëve në Pejë, ku ruhej nga forcat e KFOR-it.

Ky kombinat është privatizuar pikërisht nga kompania Shala Swiss Oil. /Ballkani.info/