Inspektorati i Punës

19-vjeçari në Gjilan që vdiq në vendin e punës dyshohet se ka rënë në hinkë të mbushur me beton

Personi që ka vdekur të hënën në vendin e punës dyshohet se ka rënë në një hinkë metalike të mbushur me beton, ka thënë Inspektorati i Punës.

Ngjarja kishte ndodhur në fshatin Budrikë të komunës së Parteshit.

“Aksidenti ka ndodhur gjatë orarit të punës rreth orës 11:30 gjatë kryerjes së detyrave të punës, duke punuar në linjën e prodhimit të betonit dhe se i aksidentuari si pasojë e rënies në hinkën metalike të mbushur me beton është ngujuar nga helikat e vendosura në këtë hinkë”, kanë thënë nga Inspektorati i Punës për Kallxo.com

E sipas Inspektoratit, punëtori ka qenë duke punuar në një fabrikë për prodhimin e tullave, tjegullave dhe produkteve ndërtimore.

“Tani për tani nuk mundemi me i përcaktu arsyet çka e ka shkaktuar aksidentin, sepse edhe më tutje nuk ka përfunduar inspektimi. Këtë mund të iu ofrojmë vetëm pasi të hartohet raporti zyrtar nga inspektori i punës. Ky raport zyrtar hartohet pas përfundimit të inspektimit dhe hartohet mbi bazën e fakteve të gjetura lidhur me rastin aksidental,  thuhet në përgjigje.

Për këtë rast, Prokuroria ka bërë të ditur se ka iniciuar hetime për rastin e vdekjes së 19-vjeçarit, ku sipas Prokurorisë së Gjilanit, rasti është iniciuar si  asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës.

Deri më tani nuk është arrestuar asnjë person.