18 të vdekur në aksidente trafiku për dy muaj

Aksidentet në komunikacion këto ditë janë shtuar dukshëm, ku po marrin edhe jetë njerëzish.

Vetëm dy muajt e fundit të vitit që lamë pas kanë ndodhur gjithsej 2 mijë e 392 aksidente trafiku.
Mesatarja e tyre është 40 aksidente në një ditë, transmeton Indeksonline.

Në muajin nëntor kanë ndodhur 1 184 aksidente, ndërsa muajin dhjetor 1 208 aksidente.

Si pasojë e këtyre aksidenteve në trafik, 18 persona kanë humbur jetën brenda dy muajve.
Njohës të çështjeve të komunikacionit po e quajnë këtë gjendje alarmante, derisa po kërkohet edhe marrja e masave.

Eksperti i sigurisë në komunikacion, Nol Dedaj për Indeksonline ka thënë se duhet të ngritët niveli i sigurisë në rrugë si fazë emergjente për parandalimin e aksidenteve.

“Tash veç e kemi situatën e qartë dhe saktë e dimë kur kemi rritjen e numrit të aksidenteve dhe kohën kur duhet të shpallet situata e emergjencës, por përgjatë vitit duhet të punohet me masa preventive pavarësisht prej elementeve të faktorëve që shkaktojnë aksidente. Tu e pas parasysh se me së shumti aksidente kemi gjatë pushimeve pra verës dhe vitit te ri. Më mirë do të ishte ngritja e nivelit të sigurisë në rrugë si fazë emergjente për parandalimin e aksidenteve”, ka thënë Dedaj.

Për situatën në trafik pati reaguar edhe vet Kryeministri Ramush Haradinaj, duke kërkuar nga Policia të jenë vigjilent dhe të pakompromis ndaj atyre që shkelin rregullat e komunikacionit dhe sigurisë.
“Me shqetësim dhe dhimbje të thellë po i pranoj lajmet për tragjeditë në komunikacion, ku po humbim të rejat dhe të rinjtë tanë. Apeloj të çdo qytetar që këto ditë feste të mbani gëzim e lumturi e jo të shkaktoni dhimbje. Apeloj Policinë e Kosovës të jenë vigjilent dhe të pakompromis ndaj atyre që shkelin rregullat e komunikacionit dhe sigurinë. Qytetarë dhe policë të mobilizohemi bashkë që të mundim tragjeditë nga trafiku”, pati shkruar Haradinaj në Facebook.

Ndërsa, në ditët festive të Vitit të Ri, dy persona kanë humbur jetën dhe 165 të tjerë kanë kërkuar ndihmë mjekësorë në QKUK.

Edhe dje, një këmbësor është goditur për vdekje nga një veturë në Prishtinë.