Një shumë prej rreth 18 milionë eurosh do të financohet përmes zbatimit të Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar Shqipëri-Kosovë.

Prej kësaj shume tërësore, investimi i vetë dy shteteve do të jetë 9.7 milionë euro, teksa 8.4 milionë euro do të vijnë si kontribut i Bashkimit Evropian, në bazë të programit IPA III.

Sipas marrëveshjes së miratuar në fillim të muajit shkurt, zbatimi i këtij programi synon të nxisë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe zhvillim ekonomik në zonat kufitare përmes turizmit të qëndrueshëm.

Nga fondet e IPA III, 45% e tyre do të alokohen për mbrojtjen e mjedisit.

Disa nga veprimtaritë e parashikuara janë edhe kryerja e investimeve, në mënyrë që të kryhet një përshtatje ndaj ndryshimeve klimatike, si edhe parandalimi dhe menaxhimi i riskut.

Për nxitjen e turizmit dhe trashëgimisë kulturore nga ana tjetër do të shkojnë përafërsisht 45% e fondeve, ku përfshihet mobilizimi i aktorëve vendorë, si edhe mbështetja me produkte dhe shërbime të reja për një ofertë më të mirë turistike dhe trashëgiminë kulturore.

Në Shqipëri zonat përfituese të programit do të jenë qarku i Kukësit, ku përfshihen bashkitë, si: Kukës, has dhe Tropojë dhe i Lezhës për bashkitë, si: Lezhë, Mirditë dhe Kurbin.

Në Kosovë zonat përfituese të programit do të jenë Rajoni Ekonomik Jugor, me bashkitë :Prizren, Gragash, Rahovekë, Suharekë, Malishevë dhe Mamusha.

Përfituese do të jetë edhe 6 bashkitë e Rajonit Ekonomik Perëndimor, si: Peja, Deçani, Gjakova, Istog, Klinë dhe Junik.

Promovimi i natyrës dhe folklorit tradicional do të jetë prioritet i fushatës promovuese. Po ashtu do të ketë vëmendje edhe ndaj objekteve fetare dhe atyre historike.

Teksa, promovimi i turizmit në zonat ndërkufitare do të zhvillohet edhe nëpërmjet fermave mjedisore dhe agrobizneseve, si dhe me ofruesit e shërbimeve turistike.

Ecuria e arritjes së objektivave do të matet me hapjen e vendeve të reja të punës dhe bizneseve.

VIDEO BONUS: Deputetët s’kanë mandat me i cenu trupat tanë, protestë kundër deputetëve që e kundërshtuan Ligjin