Trusti

160 mijë qytetarë do të mund të tërheqin vetëm nga 8 euro nga Trusti

Rreth 630 mijë qytetarë do të mund të tërheqin 10 për qind të kontributeve pensionale, nëse aprovohet Projektligji për rimëkëmbje ekonomike nga Kuvendi.

Për këtë do të nevojiten së paku dy deri në tri javë, pasi javën e kaluar ky institucion nuk aprovoi mocionin që ky projektligj të procedohet në mënyrë të përshpejtuar.

Por, pavarësisht kësaj, 50 për qind e 630 mijë qytetarëve kanë kursime të pakta në Trust. Sipas të dhënave, 160 mijë qytetarë kanë vetëm nga 80 euro të kursyera që i bie se mund të tërheqin vetëm nga 8 euro.

Zëvendëskryeministri Besnik Tahiri, gjatë një vizite të martën në Trust, ka thënë se tërheqja e 200 milionë eurove nga Trusti do të jetë një injeksion i mirë për ekonominë e vendit.

Ndërkohë, drejtori i Trustit, Ardian Zalli, njoftoi se i kanë bërë të gjitha përgatitjet dhe se aplikimi për tërheqjen e mjeteve do të bëhet online.

Qeveria e Kosovës më 22 korrik ka aprovuar Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike COVID-19. Me anë të këtij projektligji ndryshohen dhe plotësohen disa ligje, në mesin e tyre Ligji për fondet pensionale të Kosovës dhe Ligji për tatimin në të ardhura.

Për mjetet e tërhequra nga Trusti, Qeveria ka bërë të ditur se nuk do të ketë tatim. Propozimi për tërheqjen e këtyre mjeteve është bërë me qëllim të ngritjes së kërkesës agregate.

Por, sipas raporteve të shoqërisë civile, masa e re për stimulim të ekonomisë nuk garanton rritjen e parashikuar të kërkesës agregate.

Kjo pasi siç thonë nga kjo masë nuk përfitojnë personat që kanë nevojë për para të gatshme sikurse personat e papunë, ose ata që kanë kursime të pakta.