16-vjeçarja shtiret si e sëmurë, i futet në shtëpi të moshuarës për të vjedhur

Dy të rinj janë arrestuar pasi kanë dhunuar mizorisht një të moshuar në tentativë për të vjedhur. Në pranga ka rënë Julian Kiptiu, 18 vjeç dhe vajza e identifikuar K. B., 16 vjeçe, të dy banues në Lushnjë.

Ka qenë 16-vjeçarja e cila është shtirur si e sëmurë dhe i është futur në shtëpi të moshuarës, Lume Zelës 64 vjeçe. Së bashku me 18-vjeçarin  i kanë hedhur sprajt lotsjellës në fytyrë, kanë ushtruar dhunë ndaj saj dhe e kanë mbyllur atë në një dhomë të kësaj banese. Më pas kanë kontrolluar në banesë për sende me vlerë, por nuk kanë gjetur dhe janë larguar.

Pas kontrolleve të ushtruara, është arritur arrestimi i dy të rinjve, teksa iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale sprajti lotsjellës që ata kishin përdorur me qëllim realizimin e vjedhjes. Ndaj tyre rëndojnë akuzat për veprën penale “Vjedhja me dhunë” e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim”. 

E moshuara, Lume Zela ka treguar se jeton e vetme në banesën e saj në Lushnje, gjë të cilën e kanë shfrytëzuar edhe hajdutët.

Jetoj e vetme vetëm me mbesën, është vit i dytë edhe ajo u shtang kur erdhi gjeti gjithë atë rrëmujë, ‘ça ka ndodhur’ . Kam një goc, të ëmën e mbesës, djali punon në Tiranë, rri me qira, vajzën tjetër e kam në Kosovë, jetoj vetëm me mbesën”, tha e moshuara.

Një fqinj, shprehet se e ka parë 16-vjeçaren teksa po i shkonte në shtëpi, por ka menduar se ishte vajza e saj.

“E pashë te dera, mendova se ishte goca, ika u largova. Kur tak-tak derës, thashë se ishte goca dhe i ishte prishur brava, se unë s’e lija të hynte se unë këtu rri gjithë ditën. Dhe pastaj kur erdha me karrocën me bar, shoh policinë. Shyqyr zoti që nuk e ka gjetur gjë”, tha një fqinj.