155 milionë albume të shitura për 2020

Muzika ishte thelbësore në ngritjen e humorit të njerëzve gjatë izolimit, në Mars të vitit të kaluar, por edhe vijon që të jetë e tillë. Më shumë se 155 milionë albume u blenë dhe transmetuan në vitin 2020, një rritje prej 8.2%. Artistët britanikë Lewis Capaldi, Harry Styles dhe Dua Lipa janë këngëtarët më të shitur gjatë 2020.

Divinely Uninspired To A Hellish Extent i Lewis Capaldi ishte albumi më i shitur në Mbretërinë e Bashkuar për të dytin vit radhazi. Harry Styles me “Fine Line” renditet si albumi i dytë më i shitur në Britani të Madhe, i përcjellë nga Dua Lipa me albumin e saj të dytë “Future Nostalgia”, i cili gjendet në vendin e tretë.

Megjithatë, përkundër bumit të konsumit, shitjet e albumeve individuale ishin në rënie. Për herë të parë që nga fillimi i regjistrimeve në 1973, asnjë album i lëshuar në 12 muajt e fundit nuk ishte certifikuar platin që të përfaqësonte 300,000 shitje. Numri i albumeve që morën certifikimin platin në 2019 ishte 27, ndërsa më 2018 ishte 33.

Nuk kishte gjithashtu albume debutuese britanike, duke treguar kështu vështirësitë që artistët e rinj kanë hasur në gjetjen e audiencës gjatë pandemisë së koronavirusit. Tre nga 10 albume më të shiturat ishin edhe ato të viteve 70-të, të Queen, Elton John dhe Fleetwood Mac.

Shifrat sugjerojnë që dëgjuesit po kërkojnë një gamë më të larmishme të muzikës në shërbimet e transmetimit, të cilat tani përbëjnë 80.6% të konsumit të muzikës në Britani. Në total, fansat luajtën 139 miliardë këngë në shërbime si Spotify, Amazon Music dhe Apple Music vitin e kaluar, më shumë se një e pesta se vitin 2019.

Kënga Blindings Lights e The Weekend ishte kënga më e transmetuar e vitit, ndërsa Lewis Capaldi, Harry Styles dhe Dua Lipa arritën gati gjysmë miliardë transmetime secila.

Këto të dhëna kanë ndihmuar industrinë e muzikës që të rikuperohet gjithashtu edhe nga kriza e piraterisë së 10 vjetëve më parë, por ka një shqetësim në rritje midis artistëve për mënyrën e shpërndarjes së parave nga shërbimet e transmetimit.