14 organizata të shoqërisë civile kanë nisur mbledhjen e nënshkrimeve të peticionit “për shpëtimin e arsimit”.
E për të proceduar këtë peticion kërkohen 10 mijë nënshkrime, me ç’rast përfaqësues të shoqërive civile kërkuan ndihmë edhe nga subjektet politike.
Egzon Gashi Drejtor i organizatës joqeveritare “Teach For Kosova”, tha se synim kanë mbledhjen e 10 mijë nënshkrimeve në mënyrë që ta procedojnë për në Kuvend. Për këtë, kërkoi ndihmë edhe nga partitë politike në vend.
“Gjithë se bashku erdhëm te përfundimi që duhet me marrë veprime demokratike dhe që janë të parapare me kushtetuta dhe me ligjet e Kosovës. Ne atë drejtim, sot po e fillojmë mbledhjen e 10 mijë nënshkrimeve nga qytetarët e Kosovës përmes këtij peticioni. Kërkojmë që kuvendi dhe Qeveria e Kosovës, qe nënkupton të gjitha partitë pa asnjë dallim, të marre veprime konkrete për reformimin e arsimit në Kosovë”, tha ai.
Jehona Gjurgjeala, drejtore ekzekutive e organizatës “Toka”, përmendi disa çështje që i konsiderojnë me prioritet të lartë.
“Riorganizimi i shkollave me më pak se 60 nxënës, Para 10 viteve, i kemi pesë 120 mijë nxënës me shume. Numri ka ra, edhe po vazhdon me ra. Janë 340 klasa në Kosovë që kanë pesë e më pak nxënës. Është mekat qe t’i leme ata në këtë gjendje. Riorganizimi i shkollave do të ndikonte në rritjen e cilësisë së arsimit. Nxënësit kanë nevojë për bashkëmoshatarë dhe një relacion te shëndoshë me mësimdhënës. MAShTI dhe komunat duhet të fillojnë mbylljen e shkollave me pak se 60 nxënës sa më shpejtë”, deklaroi ajo.







