125 vota kundër Dick Martyt, Rama falenderon deputetët: Neveri për Berishën, tani non-grata jo vetëm nga SHBA

Kryeministri Edi Rama ka falenderuar deputetët që kanë votuar rezolutën e Partisë Socialiste kundër raportit të Dick Martyt.

Në një postim në Twitter, Rama ka vënë theksin te ish kryeministri Sali Berisha i cili nuk mori pjesë në votim. Sipas kryeministrit kjo është “një tjetër arsye neverie për politikën pa din e iman të kinse patriotëve kundër Kosovës”, taksa aludon se Berisha mund të jetë në listën e politikanëve të sanksionuar nga Britania e Madhe së fundi.

“Mosvotimi dje në Kuvend nga ana e të damkosurit si NonGrata (tanimë jo vetëm nga SHBA)i rezolutës për hedhjen poshtë në mungesë totale provash të raportit të Dick Marty,është një tjetër arsye neverie për politikën pa din e iman të kinse patriotëve kundër Kosovës!FLM të tjerëve!

Sa për dokrrat e tjera turbopatriotike,që e kanë kthyer politikën e jashtme të Kosovës në politikë të brendshme të Kosovës e Shqipërisë bashkë,Partia Socialiste e Shqipërisë as nuk i ka prodhuar as nuk i prodhon, as i ka çmuar e as i çmon ndryshe përveçse si kotësisht të dëmshme!”, shkruan Rama.

Dje kuvendi i Shqipërisë miratoi Rezolutën kundër raportit të Dick Marty-t me 125 vota pro. Rezoluta e propozuar nga shumica i konsideron të pabaza pretendimet e ngritura në vitin 2011 nga një raport i asamblesë së Këshillit të Europës, sipas të cilit gjatë luftës në Kosovë është kryer trafik organesh njerëzore nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. PS e quan fitore miratimin e rezolutës, teksa thotë se tashmë beteja shkon në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, ku do të kërkojnë një raport vijues dhe më pas ndryshimin e Rezolutës ku të shpallen të pabazuara pretendimet për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe në Kosovë.

Raporti i vitit 2010, i hartuar nga senatori i atëhershëm zviceran, Dick Marty, dhe i miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, pretendon se në trafikim me organe kanë qenë të përfshirë udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë luftës së viteve 1998-99. Këto pretendime janë hetuar nga prokurori amerikan, Clint Williamson, i cili në korrik të vitit 2014 ka bërë të ditur se gjetjet e ekipit të tij nuk përfshijnë dëshmi të bazuara për trafikim organesh, por për krime të tjera lufte.